GRUPI G
Chelsea me pesëshe ndaj Schalkes
25 November, 2014 @22:20
Skuadra e Schalkes i ka vështirësuar punët tejmase për kualifikim pas ndeshjes së sontme ndaj Chelseat.
Ekipi gjerman u mposht me rezultat të thellë në shtëpi të vet, duke i lënë shpresat për kualifikim në ndeshjen e fundit të grupit që do ta luajnë kundër Mariborit në Slloveni.
E në probleme të shumta gjermanët i futi pikërisht skuadra e Chelseat, që shënoi hiq më pak se pesë herë në stadiumin e Gelsenkirchenit.
John Terry e hapi serinë e golave në minutën e dytë, për të vazhduar më pas me Willianin, autogolin e Jan Kirchhoffit, Didier Drogban dhe Ramiresin.
Me këtë fitore Chelsea e siguroi kualifikimin në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve si lider i grupit, megjithëse ka mbetur edhe një xhiro për të përfunduar faza grupore.
Lisbona në terr!
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, kishte probleme krejtësisht të ndryshme.
U deshën gati një orë pritje që të fillojë pjesa e dytë e ndeshjes Sporting - Maribor, pasi që stadiumi i Lisbonës mbeti në terr pas problemeve me ndriçim.
Megjithatë, ndeshja arriti të rifilloj pas zgjidhjes së problemeve teknike, e në fund kësaj më shumë iu gëzuan vendasit të cilët fituan me rezultat 3-1.
Carlos Mane (10’) dhe Luis Nani (35’) shënuan të parët për epërsinë 2-0 të Sportingut, derisa tre minuta para se të shkojnë lojtarët në zhveshtore për pushim, Jefferson Nascimento shënoi në portë të gabuar për ta ngushtuar rezultatin në 2-1.
Në fund, golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes e shënoi Islam Slimani (65’), që ia siguroi fitoren e dytë të Sportingut për sivjet në Ligën e Kampionëve.
Ndeshjet e radhës
Chelsea - Sporting | |||
Maribor - Schalke 04 |
TABELA E GRUPIT G
1 | Chelsea | 5 ndeshje | 11 pikë | |
2 | Sporting | 5 ndeshje | 7 pikë | |
3 | Schalke | 5 ndeshje | 5 pikë | |
4 | Maribor | 5 ndeshje | 3 pikë |