ITALIA
Chiellini: Jemi një centimetër larg trofeut
9 July, 2021 @16:30
Në Kampionatin Botëror nuk arritën as që të kualifikoheshin, por përfaqësuesja e Italisë, në krye me Roberto Mancini kanë tani një seri të jashtëzakonshme të 32 ndeshjeve të pamposhtur.
Italia do të përballet me Anglinë, me datë 11 korrik, ditë e diel, ora: 21:00, ku për këtë ballafaqim ka folur edhe kapiteni i Italisë, mbrojtësi, Chiellini, i cili ka fjalë të mira për përfaqësuesen e Anglisë dhe se pretendon se ai e kishte të ditur këtë përballje në finale që nga fillimi i “EURO-2020”.
“Ishte një ëndërr që ne e kultivuam për tre vjet dhe trajneri na e futi në kokë derisa kjo u bë realitet. Kur ai na tha në fillim të mendonim për të fituar Euron, ne menduam se ai ishte i çmendur, dhe megjithatë ne jemi pikërisht atje në prag dhe vetëm një centimetër larg trofeut,” tha Giorgio Chiellini për RAI Sport.
“Unë menjëherë mendova se Anglia do të ishte një kandidate serioze për të fituar Euron. Ata kanë cilësi dhe fizikalitet, janë solid dhe të organizuar. Ata mund të mos jenë të lehtë për syrin, por janë të vështirë për t’u mposhtur. Ata arritën në gjysmëfinale në Kupën e Botës, plus ishte e parashikueshme që Anglia do të ishte në finalen e Euro, pasi ata luajtën gjashtë nga shtatë ndeshje në terrenin vendas.”, shtoi ai.