ARBËRIA
Me përvojë në mbrojtje, Arbëria siguron portën
9 July, 2021 @16:41
Dy mbrojtësit me përvojë të Superligës, Labinot Ibrahimi që ka bërë karrierë edhe në Superiore ndër vite, si dhe Fidan Gërbeshi, që ka qenë pjesë e Dritës së fundi — janë dy nënshkrimet e Arbërisë që sigurojnë mbrojtjen e ekipit për sezonin 2021/22.
Arbëria ka debutuar në stinorin e kaluar në Superligë, ndërsa nuk ka arritur të mbijetojë aty, edhe pse kishte një start shumë të mirë, veçanërisht në 7 xhirot e para.
Ibrahimi 35-vjeçar që erdhi në stinorin e kaluar te Arbëria, do të vazhdojë edhe një stinor me klubin kuqezi nga Dobraja e Lipjanit. Ai mund të luaj thuajse në të gjitha pozitat e mbrojtjes, duke pasur parasysh se ka qenë edhe mbrojtës krahu në kohën e tij më të mirë kur ishte te Partizani i Tiranës.
Në anën tjetër, Gërbeshi 36-vjeçar ka përvojë të madhe në Superligë, por edhe tituj të fituar. Ai ka qenë pjesë e Feronikelit dhe Dritës dhe me të dyja skuadrat ka fituar trofe në Kosovë, ndërsa te gjilanasit ka qenë edhe shutues i rregullt i penalltive — që jep siguri shtesë për Arbërinë sa i përket mundësive nga 11-metërshi.
Arbëria tash do të garojë në Ligën e Parë B të Kosovës, ndërsa pas shortit të tërhequr sot për sezonin e radhës, ata do të hapin stinorin ndaj Flamurtarit të Prishtinës, që mund të konsiderohet derbi i xhiros së parë në këtë grup të Ligës së Parë.