MANCHESTER DERBY

REUTERS
City demolon Unitedin
22 September, 2013 @18:47
Manchester City ka shkatërruar Manchester United-in në derbin e qytetit të Manchesterit sot. Skuadra e sheikëve miliarderë ka turpëruar kampionin e Anglisë me fitore të thellë të shënuar 4-1.
Sulmuesi argjentinas Sergio Aguero ka filluar demolimin e djajve të kuq, me golin e tij të shënuar në minutën e 16-të të ndeshjes për t’u vazhduar nga Yaya Toure, që shënoi lehtazi pas një korneri në fund të pjesës së parë për 2-0.
Qytetarët, vazhduan me të njejtin ritëm edhe në pjesën e dytë, kur përsëri Aguero ia nisi me gol për t’u vazhduar nga françezi Samir Nasri që shënoi pas krosimit të gjatë të Jesus Navasit.
Humbja e sotme ka qenë e dyta për Manchester Unitedit në derbi, pasi që më parë e kishte humbur edhe atë ndaj Liverpoolit. Trajneri i tyre, David Moyes, filloi ndeshjen pa Robin Van Persie. Ndër më të dalluarit te ekipi kampion ka qenë sulmuesi Wayne Rooney, që bënte gati gjithçka për ekipin e tij në fazën ofanzive, kur edhe shënoi golin e nderit nga gjuajtja e lirë.
Kurse, ndër më të dalluarit në ndeshje kanë qenë dyshja e trajnerit Manuel Pellegrini, Vincent Kompany në mbrojtje dhe Yaya Toure në mesfushë. Sulmuesi i ri i tyre, Alvaro Negredo u dallua me dy asistime në ndeshje.
Rezultatet dhe tabela aktuale.