MJEKËSIA

Costa e Arda, afër finales
22 May, 2014 @14:45
Dyshja kryesore e kampionit të Spanjës, Atletico Madrid, sulmuesi Diego Costa dhe mesfushori Arda Turan, duket të jenë optimist për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.
Të dy janë lënduar në ndeshjen e fundit të La Ligas ndaj Barcelonës, ku u shpallën kampionë të Spanjës. Derisa për mesfushorin turk të Rojiblancove thuhej se do të arrijë që të jetë i gatshëm për finalen e madhe europiane që luhet pasnesër, për Costan nuk kishte gjasa.
Mirëpo, Costa udhëtoi për në Beograd për tu konsultuar me specialisten Mariana Kovacevic, që i ka dhënë dritën e gjelbër për lojë! Ai do të kryejë testet finale edhe njëherë sonte në Madrid për të vërtetuar fjalët e mjekes serbe.
Në anën tjetër turku Turan i beson specialistit të tij, Burak Kunduracioglu, ku ky i fundit ka udhëtuar për në kryeqytetin spanjoll për të dhënë tretmanin e fundit para finales.
Arda mund të fillojë ndeshjen në 11-shen e parë, derisa Costa pritet të jetë në ekip gjithashtu.
Finalja e Ligës së Kampionëve luhet të shtunën, ku Real Madrid dhe Atletico Madrid do të përcaktojnë kampionin e ri europian në Lisbonë.