MOURINHO
Costa grushtoi veten!
28 October, 2015 @13:22
Chelsea u mposht nga Stoke City mbrëmë në stadiumin Britannia për t’u eliminuar nga League Cup e Anglisë.
Rezultatet jo të mira që po i merr ekipi kampion në Premier League nuk po ndalen as në gara tjera, e eliminimi nga Kupa e Ligës është një tjetër në radhë.
Mirëpo, për Jose Mourinhon, ekipi i tij është në rrugë të mirë. Luajnë mirë dhe duan fitoren.
“Para disa muajve kur fitonim ndeshjet dhe u bëmë kampionë, njerëzit thonin se ka edhe gjëra më të rëndësishme se rezultati. Tash, po luajmë mirë dhe rezultatet s’po vinë, njerëzit thonë se rezultati është gjëja më e rëndësishme. Kjo është kontradiktë,” ka thënë Mourinho pas ndeshjes së mbrëmshme transmeton BBC Sport sot.
Për më tepër, ai i është përgjigjur edhe me ironi gazetarit që e pyeti se si u lëndua Diego Costa, pasi që u desht të lëshojë fushën në minutën e 33-të të ndeshjes.
“Ai është në spital. Nuk e di si e ka situatën për momentin. Si ndodhi? Mendoj se e grushtoi vetëveten,” ka thënë portugezi.
Chelsea në fundjavë ndeshet me Liverpoolin në Stamford Bridge në kuadër të Premier League. Mediat angleze kanë parashikuar se humbja në këtë duel do ta lë Morinhon pa punë.