DELLOVA NË SOFJE
CSKA Sofia zyrtarizoi Lumbardh Dellovën
4 July, 2024 @12:14
Ekipi bullgar, CSKA Sofia ka zyrtarizuar dje ardhjen e qendërmbrojtësit të reprezentacionit të Kosovës, Lumbardh Dellova. Futbollisti i deritashëm i Ballkanit është bërë pjesë e ekipit nga kryeqyteti bullgar, ndërsa lojtari 187 cm i gjatë i lindur në ditën e parë të vitit 1999 është tashmë pjesë e “ushtrisë”, siç njihet ekipi i CSKA-së atje.
Përndryshe, mediat bullgare kanë bërë të ditur se CSKA Sofia ka paguar në arkë të Ballkanit 350 mijë euro për të blerë kartonin e lojtarit.
“Të dashur tifozë, pas shqyrtimit të disa ofertave, klubi ka arritur marrëveshje me CSKA Sofian, që ylli ynë dhe i Kombëtares së Kosovës, ta vazhdojë karrierën tek 31 herë kampioni i Bullgarisë.
Të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm të qendërmbrojtësit tonë, të cilit i dëshirojmë suksese në vazhdim të rrugëtimit të tij, kurse FC Ballkani gjithmonë do të mbetet shtëpia e Lumbardhit.” — ka shkruar ndër të tjera njoftimi i Ballkanit i lëshuar dje.
Kujtojmë, Dellova është largimi i radhës nga ekipi bazë i Ballkanit që mbajti barën kryesore për këto vite të titujve të suharekasve, nga ku pos tij këtë verë janë larguar edhe Edvin Kuc, Armend Thaqi, Nazmi Gripshi…