Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SAMBA TE BALLKANI

Një brazilian në sulmin e kampionëve

Foto: Ajax

Një brazilian në sulmin e kampionëve


4 July, 2024 @11:29

Ballkani mbrëmë ka bërë të ditur se ka siguruar shërbimet e sulmuesit brazilian, Giovanni Manson Ribeiro - i cili shkurt quhet vetëm Giovanni. Djaloshi 22 vjeçar, që u përcoll me një video me golat e tij të shënuara në ekipe të ndryshme, u dha si njoftim bombastik nga Ballkani, ndërsa ai ka qenë pjesë e Brazilit U-16 dikur, ku ka regjistruar tre paraqitje nën drejtimin e kryetrajnerit Carlos Amadeu. Të gjitha ndeshjet me Brazilin U16 kanë qenë miqësore.

“Direkt nga vendi i yjeve të futbollit botëror, skuadrës tonë i bashkohet super 22 vjeçari brazilian, Giovanni Manson Ribeiro.
Sulmuesi i majtë ka qenë reprezentues i Kombëtares së Brazilit për grupmoshat U-16, kurse karriera e tij është kultivuar në top klube, si Santos e Fluminese në Brazil, ndërsa në Evropë tek Akademia më e madhe në kontinent, Ajax.
Me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se reparti ofanziv i FC Ballkanit, tashmë është përforcuar me kualitetin fantastik të brazilianit.”
— ka shkruar FC Ballkani në njoftim.

Përndryshe, Giovanni së fundi ka qenë pjesë e Amazonasit që garon në Serie B të Brazilit. Amazonas është ekip nga Manausi, që është qendra turistike e personave ekspeditiv që kërkojnë shëtitje atraktive për të provuar xhunglat e vërteta. Vlera e Giovannit në Transfermarkt llogaritet të jetë rreth 900 mijë euro. Ai është provuar edhe në U21 të Ajaxit përgjatë pjesës së dytë të vitit 2022. Në Ajax ai shënoi 3 gola në 36 ndeshje. Në dimër të stinorit 2021/22 ai u huazua te Telstari holandez nga Ajaxi. Prej ku më pas u rikthye në Brazil.

Pozita e Giovannit është krah i majtë kryesisht, por mund të luaj edhe në qendër e sipas nevojës edhe në të djathtë të sulmit. Ai është 176 cm i gjatë, ndërsa prej 3 korrikut të vitit 2024 është pjesë e Ballkanit të Suharekës, kampionit të trefishtë të Kosovës që të martën tjetër do të zhvillojë përballjen e parë kualifikuese të rrethit të parë të Ligës së Kampionëve ndaj Santa Colomas.

Pos Giovannit, Ballkani ditë më parë bëri të ditur se ka blerë Marsel Ismajlgecin, të cilin deri tash e kishte të huazuar, pastaj Merlind Kodrën, dhe mbrojtësin e krahut Geralb Smajli. Të gjitha këto afrime Ballkani i ka bërë pas ndarjes me yjet kryesorë të skuadrës në këto vite të fundit, Armend Thaqi, Edvin Kuc, Nazmi Gripshi, etj.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga