PARA EURO 2016
Dalim me 7 pikë nga Grupi A
26 May, 2016 @22:18
Sulmuesi aktual i Colorado Rapids dhe i kombëtare shqiptare, Shkëlzen Gashi, ka qenë sot në radhë për konferencë për shtyp nga kampi stërvitor shqiptar në Austri.
Gashi ka thënë se është në top formë si fizike ashtu edhe psikike, ndërsa ka thënë se Shqipëria me 7 pikë do të dalë nga Grupi A.
Si? Këto janë fjalët e tij që i tha për Supersportin.
“Natyrisht që emocionet për EURO 2016 kanë filluar. Jemi të gëzuar të gjithë. Shpresoj t’i fitojmë ndeshjet,” ka thënë fillimisht Gashi.
I rritur në Zvicër, ai shumicën e lojtarëve rivalë në ndeshjen e parë i ka shokë.
“Kjo do të jetë emocion shtesë. Ngase jam rritur aty e i njoh krejt. Bëjmë shaka, por në lojë japim krejt 100%-shin tonë. Pas ndeshjes, shakatë vazhdojnë,” ka shtuar sulmuesi që ka shënuar golin e rëndësishëm të kombëtares në kualifikime, në ndeshjen e rikthimit ndaj Armenisë në Elbasan.
E a do të jetë Gashi në formacionin bazë të Gianni De Biasit për EURO 2016?
“Trajneri na jep formacionin. Ai vendos, ne duhet të pranojmë atë që thotë. Kështu jemi kualifikuar, kështu vazhdojmë,” ka thënë futbollisti më i mirë i kampionatit zviceran në vitin 2014.
Parashikimi për ndeshjet e Grupit A ku bën pjesë Shqipëria?
“Në këto gara duhet të fillosh shumë mirë. Duhet me i marr 3 pikë në fillim, pastaj vjen vullneti dhe shtohet besimi për gjithçka. Nëse e japim maksimumin do të arrijmë. Ishallah i marrim 7 pikë. Nëse besojmë dhe japim maksimumin fitorja vjen. Qysh vjen nuk e di, por vjen,” ka përfunduar Gashi intervistën e tij për media sot.