Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Rivaliteti madrilen në Milano për më të mirin e Evropës

Foto: uefa.com

Rivaliteti madrilen në Milano për më të mirin e Evropës


Shkruan: Blerim MYFTIU

26 May, 2016 @21:42

I vogli kundër të madhit, “të varfrit” kundër të pasurve, klasa punëtore kundër mbretit – dy anët e historisë për një qëllim

San Siro apo Giuseppe Meazza, sido që të quhet, do të xhelozojë të shtunën mbrëma. Do të xhelozojë e tërë Milanoja. Sepse, ky qytet, ka dy klube që në epoka të ndryshme kanë dominuar në futbollin evropian. Kanë fituar edhe kupën më të çmuar evropiane dhe janë bërë kampionë të Ligës së kampionëve. Hiç më larg se para 6 vitesh njëri (Interi) dhe para 9 vitesh tjetri (Milani). Por, stinori i kaluar, por edhe ca të mëparshmit, janë për t’u harruar.

Në kryeqytetin e modës italiane, rivalë lokalë të një qyteti tjetër do të ballafaqohen për t’u kurorëzuar me kupën e lavdishme të Ligës së kampionëve. Madje, për të dytën herë brenda tre stinorësh. Madje, pa marrë parasysh rezultatin, duke e mbajtur titullin në Spanjë. Duke bërë kështu që brenda 18 stinorëve të fundit, klubet spanjolle të jenë për të nëntën herë kampionë. Për të dëshmuar ndoshta se klubet (por edhe kombëtarja) spanjolle janë pa konkurrencë.

Stadiumi me dy emra i Milanos do të jetë për të katërtën herë nikoqir i finales më të madhe. Më 1965, Interi e kishte mposhtur në “truallin” e vetë Benfican 1 me 0. Pesë vite më vonë Feyenoordi ishte më i mirë se Celticu 2 me 1, pas lojës shtesë. Për herë të fundit, më 2001, Bayerni ishte më i mirë se një tjetër klub spanjoll, Valencia. Këtë herë, pas ekzekutimit të penalltive. Pra, asnjëherë, fituesi nuk e mposhti kundërshtarin me më shumë se 1 gol dallim.

Zidane – lojtar më i madh, Simeone – trajner më i madh?!

I vogli prej klubeve madrilene (qoftë për nga numri i titujve të fituar, qoftë për nga buxheti, qoftë për nga ditëlindja), Atlético Madrid e luan finalen e tretë në Champions. Më 1974 ishte mposhtur nga Bayerni pas përsëritjes së ndeshjes finale, për shkak se atëbotë nuk kishte lojë shtesë dhe penallti. Prandaj, pas barazimit 1 me 1 në Bruksel, pas dy ditësh ndeshja u riluajt dhe u fitua nga gjermanët 4 me 0. Finalja e dytë para dy vitesh është e freskët – Reali barazoi në minutën e 93-të, kurse në vazhdim bateritë e Atléticos u shterën, prandaj “vëllai i madh i Madridit” nuk e kishte të vështirë të fitonte.

Diego Simeone, zejen e trajnerit e filloi më 2006 në Racingun e vendlindjes, aty ku i kishte dhënë fund lojës aktive. Kaloi në Estudiantes dhe në moshën 36-vjeçe u bë kampion i Argjentinës. Shijen e njëjtë e përjetoi edhe me River Platen më 2008. Rruga e natyrshme e karrierës e shpuri në Evropë dhe kaloi në krye të Atléticos ku edhe kishte luajtur. Më 2014, pak edhe papritur, arriti të përvidhej përmes Barcelonës dhe Realit të cilët e kishin shndërruar ligën spanjolle në një ligë duale si ajo e Skocisë, dhe u shpall kampion. Në lojën shtesë e humbi mundësinë që të bëhej edhe mbreti i Evropës.

k

Ai ka luajtur në pozitën e mesfushorit mbrojtës, i cili mbahet në mend si një lojtar agresiv që detyrë parësore ka pasur shkatërrimin e lojës së kundërshtarit. Soji i tillë i lojtarëve është në shterje, por më i freskëti në mendje mund të jetë Gennaro Gattuso. Prej të tillëve nuk prisni se do të bëjnë karrierë “intelektuale” si trajner. “Homologët” e tij, Gattuso apo Nigel de Jong nuk janë kurrkund, ende.

Por, po e njëjta karrierë nga Zidanei ka qenë e pritur. Ai ka qenë një Beckenbauer modern, më ofensiv gjithsesi. Më shumë si një Cruyff. Organizator i lojës, lider i ekipit. Fitues i shumë trofeve në Evropë, me klub dhe kombëtare. Edhe rrugëtimin si trajner e zgjodhi me kujdes, në heshtje. Fillimisht, si trajner i ekipit B të Realit, më pas si ndihmës i Ancelottit. Duke shijuar nga afër trofeun para 2 vitesh, pas dritave, pas Ancelottit. Aty ku punët filluan të shkojnë keq për Benitezín, rasti iu dha Zidaneit. Edhe pse në ligë mbeti në hijen e Barcelonës, kualifikimi në finale duket se ia shpëtoi sezonin.

Incidenti me Materazzin? Është sigurisht intermezzo!

Diego Simeone nuk është agresivi siç e njihnim si lojtar, por shumë i matur dhe racional si trajner. Madje, provokimet e pakripa të Gareth Baleit se “asnjë lojtar i Atléticos nuk do të mund të futej në përbërjen e parë të Realit” dhe pyetjet nëse finalja e së shtunës do të jetë hakmarrje për para dy vite, nuk e shtyjnë atë ta kthejë në të njëjtën masë. “Hakmarrja në futboll nuk ekziston. As në jetë. Ekzistojnë vetëm mundësi të reja. ‘Hakmarrja’ është një fjalë negative, sepse i referohet humbjes. Nga ana tjetër, ‘mundësia’ ka të bëjë me optimizmin, besimin dhe kjo është ajo që ne duam të tregojmë në Ligën e kampionëve”, pohon ndër të tjera Simeone.

Pritjet më të larta

Përshtypja e finales së para dy viteve ishte se ekipet ishin deri diku të shterura dhe të përgjysmuara. Arda Turan nuk u paraqit, Diego Costa u detyrua ta linte fushën pas disa minutash lojë. Atlético kishte harxhuar karburant në luftën për titull dhe një javë para finales, Atlético kishte luajtur duelin final të La Ligas me Barcelonën. Në anën tjetër të qytetit, Ronaldo dhe Benzema ishin të lënduar, Pepe nuk luajti, Alonso ishte i suspenduar.

Para finales së sivjetme, duket se nuk ka mungesa. Lajmet për një lëndim të Ronaldos në stërvitjen e së martës dolën të jenë jo shumë serioze. Griezmann është sigurisht thesari i vitit, kurse Torres është rilindur në klubin amë. Prandaj, është e sigurt se vija e sulmit e Atléticos është shumë më e fuqishme dhe e gatshme se ajo e para dy vitesh. Zbulimi tjetër i stinorit, Saúl Ñíguez, duket se i ka dhënë kreativitetin shtesë sulmit.

Kuriozitete

Reali është ekipi i cili ka fituar më së shumti tituj të kampionit evropian – gjithsej 10 nga 14 finalet e luajtura. Për Atléticon është finalja e tretë, i ka humbur dy të mëparshmet. Nga katër finalet e fundit të Ligës së kampionëve, në tre prej tyre kanë luajtur klubet e të njëjtit shtet (Bayern-Dortmund më 2013, Real-Atlético më 2014 dhe 2016). Kur shikohen qytetet, kjo është paraqitja e 17-të e klubeve të Madridit në finalet e Ligës së kampionëve duke e tejkaluar pikërisht nikoqirin, Milanon, klubet e së cilës janë paraqitur një herë më pak. Kjo do të jetë finalja e tretë rresht e fituar nga ekipet spanjolle dhe kësisoj e paraqet serinë e dytë më të gjatë, pas asaj të klubeve angleze që e kishin fituar atëbotë Kupën e kampionëve 6 herë rresht nga 1977 deri më 1982 (Liverpool më 1977 dhe 1978, Nottingham Forest më 1979 dhe 1980, Liverpool sërish më 1981 dhe Aston Villa më 1982).

Reali nuk ka pësuar në 10 prej 12 ndeshjeve të luajtura sivjet në Ligën e kampionëve. Mbretërit kanë shënuar 27 gola (3 më pak se Bayerni) dhe 11 më shumë se Atlético. Në 20 prej këtyre 27 golave, Ronaldo ka qenë shënues ose asistues. Kurse, Antoine Griezmann ka qenë i përfshirë në 50% të golave të Atléticos. Me 5 gola të pësuar, Reali është ekipi që ka pësuar më së paku sivjet – Atlético ka pësuar 7 gola. Në duelet me Barcelonën dhe Bayernin, Atlético ka pasur zotërim më të ulët se 30 për qind të topit – megjithatë i ka kaluar duelet!

Sa u përket trajnerëve, kjo është e treta herë me radhë që trajneri debutues arrin finalen e ligës më të çmuar (Diego Simeone më 2014, Luis Enrique më 2015 dhe Zinedine Zidane më 2016). Pas Miguel Muñozit, Giovanni Trapattonit, Johan Cruyffit, Carlo Ancelottit, Frank Rijkaardit dhe Josep Guardiolas, Zidanei mund të bëhet njeriu i shtatë që e fiton Ligën e kampionëve si lojtar dhe trajner.

Reali i Madridit edhe zyrtarisht është klubi më i pasur i botës. I themeluar më 1902, edhe vetë emri i klubit (Real – mbreti) simbolizon pasurinë, fisnikërinë, elitën dhe klasën e lartë. Bekimi i dhënë më 1920 nga mbreti i atëhershëm spanjoll, Alfonso XIII, e ka bërë këtë klub “mbretëror” dhe plot një shekull mbetet i tillë dhe më i suksesshmi si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv.

Kurse, historia e Atléticos së Madridit është shumë më e thjeshtë. I themeluar më 1903 nga tre studentë baskë në Madrid, një kohë të gjatë ka qenë degë e Athletic Bilbaos. Nofka e parë e klubit ka qenë “Los Colchoneros”, që në përkthim i bie “prodhues i dyshekëve”. Dyshekët e asaj kohe kanë qenë me shirita të kuq dhe të bardhë, sikur fanellat e Atléticos. Janë dy shpjegime përse fanellat kanë qenë bardhë dhe kuq, sikur tash. Njëri shpjegim është se materiali më i lirë ka qenë ky, pra i dyshekëve, prandaj Atlético duke mos pasur mbështetje nga mbreti është detyruar të blejë materialin më të lirë. Kurse, tjetri shpjegim ka të bëjë se nga Anglia janë sjellë fanellat e Southamptonit, po ashtu me shirita vertikalë bardhë e kuq dhe kështu edhe Atlético ka mbetur me fanella të tilla.

n


NGA KOMISIONI DISCIPLINOR

Dritës €800, Batatinës €500 gjobë

FFK Superliga

Dritës €800, Batatinës €500 gjobë

26/05/16 @ 21:28

SELEKTORI

Bunjaki viziton kampionët dhe shikon finalen

FFK Superliga/Kosova

Bunjaki viziton kampionët dhe shikon finalen

26/05/16 @ 18:42

MEDIA

Sky: Mourinho te United

Premier League/Transfere

Sky: Mourinho te United

26/05/16 @ 18:36

SHAHIN HAXHIISLAMI - PEJË

Sejdiu njoftohet me lojtarët

FFK Superliga

Sejdiu njoftohet me lojtarët

26/05/16 @ 18:12

FERRONIKELI

Renovime 90%

FFK Superliga

Renovime 90%

26/05/16 @ 18:03

MBROJTËSI I KRAHUT

Agolli asiston, Qarabag fiton Kupën

Shqipëria/Sportistë shqiptarë në botë

Agolli asiston, Qarabag fiton Kupën

26/05/16 @ 09:07

ANDREJ KRAMARIC

Rekord transferi i Leicesterit, largohet

Premier League/Bundesliga/Transfere

Rekord transferi i Leicesterit, largohet

26/05/16 @ 08:58

TE ANGLIA

Sturridge jashtë stërvitjeve

UEFA Euro 2016

Sturridge jashtë stërvitjeve

26/05/16 @ 08:47

MIQËSORE E RIVALIT

Rivali i Shqipërisë, barazon ndaj Kongos

International/UEFA Euro 2016

Rivali i Shqipërisë, barazon ndaj Kongos

25/05/16 @ 22:58

NEWCASTLE UNITED

Edhe 3 vjet me Benitezin!

Premier League

Edhe 3 vjet me Benitezin!

25/05/16 @ 19:51

LUDOGORETS - BALLKANI

Fitorja në Prishtinë s’mjafton, Ballkani mposhtet në Bullgari dhe eliminohet

FFK Superliga/Champions League

Fitorja në Prishtinë s’mjafton, Ballkani mposhtet në Bullgari dhe eliminohet

19/07/23 @ 21:56

LUDOGORETS - BALLKANI

Formacioni startues i Ballkanit, asnjë ndryshim nga Ilir Daja

FFK Superliga/Champions League

Formacioni startues i Ballkanit, asnjë ndryshim nga Ilir Daja

19/07/23 @ 18:58

PARA DUELIT VENDIMTAR

Ballkani kryen stërvitjet e fundit, i gatshëm për më të mirën

FFK Superliga/Champions League

Ballkani kryen stërvitjet e fundit, i gatshëm për më të mirën

18/07/23 @ 22:36

VAZHDON KONTRATËN ME EKIPIN E FËMIJËRISË

Me rrogë të re, Rashford vazhdon deri në vitin 2028

Champions League/Premier League

Me rrogë të re, Rashford vazhdon deri në vitin 2028

18/07/23 @ 22:29

ELIMINOHET KAMPIONI I SHQIPËRISË

BATE mposht dhe eliminon Partizanin

FSHF Kategoria Superiore/Champions League

BATE mposht dhe eliminon Partizanin

18/07/23 @ 22:01

BAYERN

Kim Min-jae stabilizator i mbrojtjes së Bayernit

Champions League/Bundesliga/Transfere

Kim Min-jae stabilizator i mbrojtjes së Bayernit

18/07/23 @ 20:00

ME PËRMBYSJE MBYLLET AVENTURA DEBUTUESE

Struga eliminohet në fund!

Champions League/International

Struga eliminohet në fund!

18/07/23 @ 19:32

FORMACIONET STARTUESE: NDESHJA E KTHIMIT

Struga-Zalgiris, 11-shet startuese

Champions League/International

Struga-Zalgiris, 11-shet startuese

18/07/23 @ 16:18

TRAJNERI I LUDOGORETSIT

Ivaylo Petev: Ndihem i turpëruar

Champions League

Ivaylo Petev: Ndihem i turpëruar

12/07/23 @ 11:58

KTHEHEN TË PAMPOSHTUR

Struga nxjerr barazim në debutim

Champions League/International

Struga nxjerr barazim në debutim

12/07/23 @ 04:27


 
Të gjitha lajmet nga Champions League