CHELSEA - CITY
De Bruyne ndëshkon ish-skuadrën, City lider
30 September, 2017 @20:30
Në takimin më interesant të xhiros në Premier League, Manchester City ka fituar me rezultat 0-1, fitore e cila e ngjit në krye të tabelës skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.
Tashmë të sistemuar në stilin që Guardiola e praktikon, lojtarët e Manchester Cityt golin e fitores e gjetën përmes belgut Kevin De Bruyne, lojtarit që dikur u largua nga Chelsea, në pjesën e dytë të ndeshjes, gol që mjaftoi që 3 pikët t’i takonin Cityt në fund.
Shqetësues për Chelsean përveç humbjes është edhe lëndimi i Alvaro Moratës në pjesën e parë, me këtë të fundit që padyshim e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyeshme.
Gjithashtu, duhet përmendur fakti që kjo ishte hera e parë që Pep Guardiola fiton ndaj Chelseat. Këtë gjë nuk e kishte arritur deri më sot as me Barcelonën e Bayernin e as me Cityn sezonin e kaluar.
Tashmë City shkon në pushimin e kombëtareve në krye të klasifikimit falë një goli më tepër të shënuar sesa Manchester United, që ndodhet në vendin e dytë me pikë të barabarta.