ME MEND
Dinjitozë ndaj Milanit
14 August, 2017 @21:17
Pasi që kaloi tre xhiro kualifikuese të Europa Ligës, Shkëndijës së Tetovës, në Play-Off të kësaj gare i ra në short ekipi i famshëm italian dhe botëror, Milan.
Gjasat e Shkëndijës duken jo të mëdha për të kaluar në fazën grupore të Europa Ligës, për herë të parë në histori, por formë e mirë e lojtarëve, 3 xhiro të kaluara në Europë dhe fitorja ndaj Vardarit në derbi, në xhiron e parë të elitës maqedonase i jep shpresë për paraqitje dinjitoze tetovarëve.
“Prej kur shorti caktoi që kundërshtari ynë të jetë Milani është folur shumë për këto ndeshje dhe kjo është krejtë normale. Ne jemi të kënaqur që edhe një herë kemi mundur të dalim me paraqitje të bukura në Europë, duke arritur në play off. Tani për Milanin nuk duhet të harxhojmë fjalë. Të gjithë e njohin këtë skuadër dhe cilësinë e tyre, pa marrë parasysh se viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Për ne kjo është një sfidë e re, mundësi e madhe për tu përballur me një ekip të fortë kundër të cilëve do të dalim për të dhënë më të mirën nga vetja. Fundi do të tregojë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë befasinë e rradhës”, shprehet mesfushori i talentuar, Ennur Totre, i cili ishte ndër më të mirët në teren të shtunën kundër Vardarit.
“Bëmë një ndeshje të madhe dhe ai duhet të jetë modeli si duhet të luajmë në çdo takim. Ishte me rëndësi të nisim me tre pikë, posaçërisht pasi bëhej fjalë për ndeshje derbi dhe jemi të kënaqur pasi demonstruam cilësi dhe kualitet përballë Vardarit që në fund rezultoi me fat për humbjen prej vetëm 2:0. Ne jemi futbollistë dhe bëjmë punën tonë, por kënaqësia është e madhe kur shikon aq njerëz të lumtur nga paraqitja e treguar. Kjo na bën të japim gjithçka nga vetja dhe ashtu do të jetë gjithmonë, edhe kundër Milanit të enjten”, përfundoi Totre.
Milan pret Shkëndijën në San Siro të enjten prej orës 20e45.