TIMONIERI I RI I HAJVALISË
“Do të luftojmë për kreun”
28 May, 2015 @18:55
Ende pa filluar punën me skuadrën e re, trajneri Mentor Miftari ka filluar t’i bëjë planet për të ardhmen.
Miftari, i cili për momentin drejton skuadrën e KEK-ut, ditë më parë është emëruar kryetrajner i skuadrës së Hajvalisë për stinorin e ri.
Ekipi nga Kishnica, pas largimit të Ismet Munishit, ka zgjedhur Emin Bajramin për trajner, i cili do ta udhëheqë skuadrën vetëm deri në fund të këtij stinori.
Megjithëse ende drejton skuadrën e KEK-ut, Miftari nuk ka hezituar të flasë për skuadrën e tij të re, me të cilën synon kreun e tabelës vitin e ardhshëm.
“Edhe 10 ditë jam duke punuar me Kek-un, kështu që nga mesi i muajit të ardhshëm do të filloj zyrtarisht detyrën si trajner i Hajvalisë. Planet duhet t’i diskutojmë së bashku me kryesinë e klubit, por në bazë të ekipit të cilin e posedon Hajvalia, vitin e ardhshëm do të luftojmë për kreun e tabelës,” tha Miftari për faqen zyrtare të Hajvalisë.
Më tej, Miftari foli edhe për përforcimet e reja të skuadrës, si dhe për fazën përgatitore para fillimit të stinorit të ri.
“Akutalisht jemi në negociata me disa futbollistë dhe pritet që të vijnë edhe disa të tjerë. Shpëtim Babaj është përforcimi i parë por mendoj se atij i duhet të punoj deri në fillim të stinorit të ardhshëm për të hequr peshë. E kam përcjellur në ndeshje atë, është futbollist që nuk mund të them se ka perspektiv përshkak se është në moshë, por do të sjellë eksperiencë në klub.”
“Hajvalia do të luaj disa ndeshje miqësore në Zvicër, njëra prej tyre me Sionin dhe do të na shërbejnë edhe si përgatitje. Futbollistët nuk do të kenë shumë mundësi të pushojnë por besoj se pas rikthimi nga Zvicra duhet të marrin 4 ditë deri 1 javë pushim për të filluar përgatitjet për edicionin e ardhshëm.”
Hajvalia edhe në fillim të këtij stinori kishte filluar me pretendime për titull, por flamuri i bardhë u ngrit para kohe nga kjo skuadër, pasi që edhe dy javë pa përfunduar kampionati, renditet në pozitën e katërt me 50 pikë, 16 më pak se lideri Ferronikeli.