GENC HOXHA
Do t’i ikim të keqes
20 February, 2016 @21:06
Istogu u eliminua nga Kupa e Kosovës sot në përballje me Prishtinën. Troftat nuk i kanë bërë ballë fare Prishtinës së përforcuar në afatin kalimtar të janarit duke pësuar 5-1 në fund.
Mirëpo, trajneri gjakovar i Istogut Genc Hoxha ka thënë pas ndeshjes se më mirë që i ka ndodhur tani kjo ekipit të tij, pasi që do të ketë kohë përmirësimi në Superligë.
“Kjo nuk është forca jonë reale. Bëmë gabime të shumta, prandaj pësuam. Më mirë që ndodhi kjo para fillimit të kampionatit, ku besoj do të jemi plotësisht të gatshëm e nga katër takimet e para, tre do t’i zhvillojë në shtëpi dhe jam optimist se do t’i ikim më të keqes,” ka thënë Hoxha pas ndeshjes për faqen zyrtare të Prishtinës.
Për më tepër ai ka bërë të ditur se ekipi i tij asnjëherë nuk dorëzohet dhe se do të luftojë deri në fund për mbijetesë.
“Për asnjë moment nuk do të dorëzohemi,” ka shtuar trajneri i Istogut.
Hoxha ka marrë drejtimin e Istogut në fillim të këtij stinori. Istogu ka përfunduar pjesën vjeshtore të Superligës në fund të tabelës së klasifikimit me 14 pikë nga 17 ndeshje të zhvilluara.