RAMIZ SADIKU - VËLLAZNIMI
Dobët jashtë shtëpisë, hap prapa për Vëllaznimin
16 March, 2019 @15:03
Vazhdon forma e dobët e Vëllaznimit në ndeshjet jashtë shtëpisë. Skuadra gjakovare, që këtë sezon ka vetëm 2 fitore në takimet si mysafire, edhe sot dështoi të fitonte në transfertë.
Këtë herë gjakovarët u mposhtën me rezultat 1-0 nga kryeqytetasit e Ramiz Sadikut, për të cilët kjo fitore mund të jetë shumë e vlefshme në luftën për mbijetesë.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 3’ nga Fillim Guraziu i vendasve, derisa duhet përmendur që pjesën më të madhe të ndeshjes gjakovarët e luajtën me 10 lojtarë në fushë, me Jeton Dushin që u përjashtua me karton të kuq në minutën e 30’ të takimit. Punë për skuadrën e Munishit nuk kryen as tri zëvendësimet e menjëhershme me të filluar pjesa e dytë, me skuadrën prishtinase që e mbrojti mirë rezultatin dhe arriti t’i arkëtojë tri pikë.
Kjo humbje bën që gjakovarët ta bëjnë edhe një hap prapa në luftën për t’u rikthyer në elitën e futbollit kosovar, derisa Ramiz Sadiku vazhdon luftën për të mos rënë në Ligën e Dytë.
Xhiron e ardhshme, Vëllaznimi e pret në Gjakovë Onixin, kurse Ramiz Sadiku luan në cilësinë e mysafirit ndaj Arbërisë.