MILAN - NEWCASTLE
Dominim i Milanit, por mbyllet pa gola në San Siro
19 September, 2023 @20:43
I rikthyer pas më shumë se 20 viteve në Champions League, Newcastle United duhet të jetë më shumë se i kënaqur me pikën e fituar në udhëtim te Milani në San Siro.
Ndeshja në fjalë u mbyll pa gola, 0-0, ndonëse dominuese ishte skuadrave italiane, sidomos gjatë pjesës së parë. Newcastle United ndeshjen e mbylli pa as edhe një goditje në portën kundërshtare!
Pjesa e parë kaloi me dominim të plotë të Milanit, ndërsa anglezët nuk treguan asgjë. Disa herë porta angleze u shpëtua nga Pope, e disa herë të tjera italianët shpërdoruan vetë.
Më pas, intensiteti i lojës ra paksa në pjesën e dytë, me Milanin që sulmoi më pak, ndërkohë Newcastle shtoi përqindjen e posedimit të topit në krahasim me pjesën e parë.
Rastin më të mirë për rossonerët në pjesën e dytë e pati portugezi Leao, gjuajtja e të cilit me kokë pas krosimit nga Florenzi përfundoi mbi portë.
Më shumë se barazimi Milanin në plan afatgjatë mund ta shqetësojë lëndimi i portierit Maignan, i cili u detyrua të largohej nga loja para kohe sonte. Francezi ishte i lënduar për një pjesë të madhe edhe sezonin e kaluar, e mungesa e tij ishte tejet e dukshme në atë periudhë te Milani.
Kështu, xhiron e parë të grupit Milan e Newcastle e mbyllin me nga një pikë. Kujtojmë që në grup me Milanin e Newcastlen ndodhen edhe PSG e Dortmund, që përballen mes vete sonte nga ora 21:00.
Në ndeshjen tjetër që u luajt sonte me fillim nga ora 18:45, Leipzigu fitoi 1-3 në udhëtim te Young Boys në Zvicër.