SKENDERAJ
Drenica triumfon në derbi
14 November, 2015 @15:25
Ecuria e mirë e Ferronikelit në gjashtë xhirot e fundit është ndalur sot në “Bajram Aliu” të Skenderajit.
Drenica ka shënuar fitore ndaj kampionit aktual të Superligës, Ferronikeli, për t’ia sjellë humbjen e parë ekipit të Gani Sejdiut pas gjashtë xhirove pa disfatë.
Golin e vetëm dhe vendimtar të takimit e ka shënuar Kreshnik Uka, që u gjend më së miri në zonë pas një krosimi të lojtarit më të dalluar të drenicakëve, Taulant Dajaku.
Pas 2 humbjeve në 2 xhirot e fundit, Drenica i është kthyer fitores duke e mposhtur kandidatin më serioz për titull sot.
Sa i përket ndeshjes në përgjithësi Drenica ka pasur pak më shumë posedim të topit sesa Ferronikeli, derisa ekipet kanë pasur rastet e tyre gjatë ndeshjes por pa ndonjë konkretizim, derisa në minutën e 81-të shënoi Uka.
Hysen Tahiri dhe Kastriot Mehmeti kanë provuar për të shënuar për vendasit, derisa Qemail Elshani e Mevlan Zeka janë dalluar me raste për mysafirët.
Derisa Drenica ka dalë në pozitë të shtatë me këtë fitore, Ferronikelit nuk i rrezikohet vendi i parë edhe këtë xhiro, ku ndeshjet tjera të javës luhen të martën dhe të mërkurën.
Në xhiron e radhës Drenica udhëton drejt Istogut, derisa Ferronikeli kampion aktual pret Gjilanin.
Formacionet dhe zëvendësuesit:
KF DRENICA | Ymeri, Musa, Bejta, Geci, Maloku (Uka), Thaqi, Syla, Osmani, Tahiri (F. Lushtaku), Dajaku, Mehmeti (Behrami). Trajner: Fadil Rama. | ||
KF FERRONIKELI | Kolshi, Shala (Bardhi), Doshlaku, Gërbeshi, Lladrovci, Maliqi, Qorri, Zhdrella, Hoti (Zeka), Elshani, Livoreka. Trajner: Gani Sejdiu. |