TITULLI I SHTATË?!
Dy finalet e Skënderbeut!
16 May, 2017 @10:56
Skënderbeu është kampion aktual i Shqipërisë. Korçarët kanë fituar 6 tituj të kampionit radhazi dhe kanë rastin që përsëri të bëhen kampionë në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.
Por, përkundër se tashmë janë në seri prej 7 fitoresh radhazi dhe kanë mbyllur distancën e liderit, Kukësi, tashmë për të fituar titullin duhet të luajnë dy finalet e mëdha, pasi që shorti i kampionatit deshi kështu.
Në xhiron e parafundit të stinorit, Skënderbeu udhëton në Zeqir Ymeri të Kukësit, ku më 20 maj me fillim në ora 17:00 do të zhvillohet ndoshta dueli që përcakton kampionin e Shqipërisë për këtë stinor.
Gjithsesi, këtu nuk përfundon asgjë për korçarët nëse nuk mposhten në Kukës. Pasi që në duelin e radhës, ata presin në Korçë rivalin tjetër të rrezikshëm, Partizanin e Tiranës, që ua ka shkaktuar humbjen e fundit këtë stinor (deri sot).