PRISHTINA - BASHKIMI

TOPSPORTI/ P. H.
E gjashta radhazi, Prishtina demolon Bashkimin
14 December, 2019 @18:40
E pamëshirshme është treguar kampionia e fundit e Kosovës ndaj atij të parafundit. Prishtina ka shkelur Bashkimin në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve sonte, për të hapur xhiron e XVII të Superligës me fitore.
Bardhekaltërit kanë dominuar që nga fillimi i takimit dhe fitorja nuk u vë në diskutim që prej pjesës së parë të lojës.
31-14 i pari, 28-17 i dyti, për të vazhduar me 25-16 në çerekun e tretë dhe atë të fundit edhe më ashpër 36-12, Prishtina ka mposhtur Bashkimin me 120-59.
Gjashtë lojtarë te Prishtina kryen ndeshjen me pikë dyshifrore. Divine Myles qe i vetmi që luajti me double-double, ndërsa të tjerët që shënuan pikë dyshifrore janë: Edo Azemi, Meriton Ismaili, Fahro Alihodzic, Arian Memeti e Fis Rugova.
Myles luajti me 24 pikë e 11 asistime. 21 pikë shënoi Rugova, ndërsa 20 të tjera Ismaili.
Te Bashkimi sonte u dallua vetëm Correy Ross, që kreu ndeshjen me 17 pikë e 3 asistime. Të tjerët u bllokuan tërësisht nga vendasit dhe kështu pësuan humbjen e katërt të stinorit.
Në anën tjetër Prishtina, me këtë fitore ka marrë së paku përkohësisht, vendin e parë në klasifikim.