BALLKANI - FERIZAJ
Edhe portieri Ruxhi gjen golin, lideri s’gabon
23 February, 2020 @15:06
Pas fitoreve të Dritës e Prishtinës, këtë xhiro pikë s’ka lëshuar as Ballkani.
Therandasit sot triumfuan me rezultat 3-0 ndaj skuadrës së Ferizajit, për ta treguar përsëri seriozitetin në garën për titullin kampion.
Goli i epërsisë fillestare erdhi nga futbollisti Edvin Kuç në minutën e 26’, kurse edhe pas golit të shënuar, dominimi i Ballkanit vazhdoi. Vonë në ndeshje, fitorja u vulos përfundimisht nga Arbër Hoxha, që shënoi nga pika e bardhë në minutën e 86’ të ndeshjes për 2-0, kurse goli i fundit i Ballkanit erdhi nga një golshënues “jo i zakontë”. Ky gol u shënua nga portieri Armend Ruxhi, i cili e gjuajti penalltinë e dytë të Ballkanit në këtë takim. Ruxhi nuk gaboi nga pika e bardhë, duke e shënuar golin e tij të parë në karrierë dhe duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin final 3-0.
Kjo fitore për Ballkanin vjen pikërisht para ndeshjes direkte me Prishtinën, që luhet xhiron tjetër në kryeqytet, kurse për Ferizajin ky ishte dueli i parë i zhvilluar pas largimit të Bekim Isufit. Ferizajasit sot u drejtuan nga Burim Qerkini.
Sa i përket xhiros së ardhshme, Ferizaji përballet me Llapin në shtëpi.