LLAPI 1-0 BESA

Foto: KFLlapi/fb
Elvis Prençi i siguron fitoren, pas dy penalltive të pritura nga portieri mysafir
9 May, 2021 @17:34
Shumë-shumë më vështirë sesa që ka menduar Llapi, i ka ardhur fitorja sot. Ekipi i Tahir Batatinës ka shënuar fitore me rezultat minimal ndaj Besës së rënë nga Superliga 1-0 [Elvis Prençi 59] për të mbetur thuajse sigurt në Superligë tash dhe me koncentrim në Kupë të Kosovës ku presin Dukagjinin në finale.
Llapi ka pasur dy penallti të humbura në këtë ndeshje, ku së pari ka qenë Arbnor Ramadani (42) që ka dështuar, pasi që mbrojti portieri i Besës Visar Haxhijaj — njëjtë sikurse ia mbrojti edhe Ahmed Januzit (64) në pjesë të dytë.
Besa në anën tjetër me të rinj të organizuar, në kombinim me përvojë, ka treguar lojë të mirë — por pa rrezikuar fortë portën e vendasve në Zahir Pajaziti.
E Llapi me këtë fitore tashmë është një pikë larg shpëtimit edhe teorik nga zona e barazhit, ndërsa për Besën ecuria e lojërave për prestigj po vazhdon që prej janarit.