DREJTORI SPORTIV
Erxhan Dana dorëhiqet nga Liria
2 December, 2016 @15:13
Ish-sulmuesi i Lirisë, Erxhan Dana, që në dy vitet e fundit punonte si drejtor sportiv i ekipit bardhezi nga Prizreni, ka dhënë dorëheqje me shkrim sot.
Njoftimin e ka dhënë vetë klubi bardhekaltër përmes një njoftimi të botuar në Facebook, ndërsa ka bërë të ditur edhe pjesë të letrës së tanimë ish-anëtarit të klubit.
“Pas rrethanave të krijuara në klubin tonë dhe pas shumë analizave të mija personale dëshiroj të njoftoj kryetarin dhe Bordin se nga sot, unë nuk do të ushtrojë detyrën e besuar në mua, të drejtorit sportiv të klubit,” - ka shkruar Dana fillimisht.
“Askush nuk e ka luksin të veproj si të dojë me klubin, si Bordi, si trajnerët, por edhe lojtarët. Kemi një përgjegjësi të madhe ndaj qytetit tonë, ndërsa secilil nga kryesia 13 anëtarëshe, trajnerët dhe lojtarët duhet të pyesin veten: Çka kemi bërë për klubin? - ka shtuar ai.
Ndërsa në fund, i ka uruar sukses pasardhësit të tij.
Sidoqoftë, në fund të njoftimit të Lirisë është parë edhe një pikë, ku thuhet: pritet të shihet nëse Bordi do të miratojë ose jo letër-dorëheqjen e Danës.
Liria këtë stinor ka pasur probleme me trajnerë. Ramiz Krasniqi u largua duke akuzuar anëtarët e klubit për përzierje në punë, njejtë së fundi edhe Genc Tamniku, që nuk u paraqit në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit të stinorit vjeshtor.