BOJKOT TE GJITHA PLATFORMAVE
FA, Premier League, EFL dhe FA Women’s - bojkotojnë rrjetet sociale
24 April, 2021 @23:58
Federat e Futbollit të Anglisë (FA), Premier Liga, English Football League (EFL) [që përfshin të gjitha ligat tjera profesionale të futbollit në Angli], Superliga e Femrave (WSL) — kanë marrë vendim që në fundjavën e ardhshme të bojkotojnë të gjitha platformat e rrjeteve sociale në shenjë proteste ndaj abuzimeve raciste që po i bëhen futbollistëve/eve dhe të gjithë të tjerëve që janë të lidhur me sport në përgjithësi.
Prej orës 15:00 më 30 prill, të premten e ardhshme, deri të hënën më 3 maj — asnjëra nuk do t’i përdor shërbimet e rrjeteve sociale, ndërsa pritet që kësaj kampanje vetëdijësuese t’i bashkohen edhe organizatat tjera dhe jo vetëm sportive.
Krejt kjo iniciativë është vendosur të bëhet pasi që organizatat më të mëdha të futbollit anglez kanë kërkuar që prej shkurtit 2021 nga drejtuesit e platformave të rrjeteve sociale që të filtrojnë komentet fyese në baza racore. Përkundër që disa hapa janë ndërmarrë, ende po vërehet racizmi aty — prandaj ka ardhur deri te ky vendim, kanë bërë të ditur në letrën e përbashkët krerët e të lartëpërmendurve.
No Room For Racism - është një kohë të gjatë në faqen zyrtare të PremierLigës, si parahyrje në web faqen zyrtare të ligës më të fortë të futbollit në botë.