TREPÇA - FERONIKELI

BOROZANI/ Arian Paçarizi
Feronikeli fiton, Trepça fundoset
15 April, 2017 @16:51
Në praninë e afro 350 shikuesve në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, kampioni në fuqi i Kosovës shënoi fitore me rezultat 1-3 ndaj skuadrës së Trepçës.
Rastet e Feronikelit ranë në sy me të filluar takimi. Ishte Mevlan Zeka ai që e rrezikoi i pari portën e vendasve në minutën e 3’ të takimit, mirëpo gjuajtja e tij përfundoi jashtë. 2 minuta më pas, ishte Trepça që rrezikoi përmes Ergyn Ahmetit, mirëpo i vëmendshëm u tregua portieri Maloku i mysafirëve.
Në vazhdim të pjesës së parë ishin vendasit ata të cilit kishin më tepër posedim dhe rrezikon herë pas here, kryesisht me anë të Ergyn Ahmetit, i cili sot zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Gjithsesi, të parët golin e gjetën mysafirët me anë të sulmuesit Abu Razard Kamara, i cili shënoi me kokë në minutën e 33’ të takimit pas krosimit të Mark Milicajt nga krahu i majtë dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 0-1.
Ishin mysafirët të cilët e zhbllokuan të parët takimin edhe në pjesën e dytë. I njëjti lojtar, Abu Razard Kamara, shënoi për 2-0, ndërsa kësaj here ai u asistua nga Yll Hoxha. Më pas, vendasit e zvogëluan disvantazhin përmes Enis Zabërgjes, që shënoi pas asistimit të zëvendësuesit Pleurat Hajdini, mirëpo kampioni në fuqi i Kosovës nuk lejoi befasi dhe e gjeti edhe golin e tretë përmes Labinot Osmanit, për ta mbyllur kështu takimin me rezultat 1-3.
Duhet përmendur që në minutën e 80’ të takimit me karton të kuq direkt u ndëshkua Mark Milicaj i mysafirëve pas ndërhyrjes tejet të rrezikshme ndaj lojtarit kundërshtar.
Kjo fitore e kthen Feronikelin në vendin e dytë, kurse Trepçës ia vështirëson edhe më tepër punët në luftën për mbijetesë.