5 PËR VIKEND

Madonina kineze!
Shkruan: Luan MORINA
15 April, 2017 @11:32
Me kafen ose çajin e mëngjesit të ditës së parë të vikendit të gjatë, lexoni pesë ndeshjet e përzgjedhura të cilat “nuk bën” mos t’i shikoni këtë fundjavë.
1. Inter – Milan (e shtunë, ora 12e30)
Derisa moda mund të mbetet italiane në Milano, ekipet e futbollit tani e tutje do të flasin kinezisht. Më në fund edhe AC Milan është i kinezëve, dhe ishte koha e duhur të ndodhte kjo, edhe pse me nja dhjetë vite vonesë ndoshta. Në vjeshtë përballja e të dyjave ka qenë e mahnitshme, me rikthime e plotë gola.
Ngjashëm shpresojmë të jetë edhe këtë të shtunë. Por, më shumë shpresojmë që ky të jetë derbi më i varfër i viteve të ardhshme.
2. Roma – Atalanta (e shtunë, ora 3)
Roma me Spallettin kurrë s’do të fitonte ndoshta titullin, por e dimë edhe çfarë kanë bërë me Rudi Garcian. Ngjashëm do të bëjnë edhe me ndonjë trajner tjetër dhe do të zhyten në seri ndërrimi trajnerësh, tani me skuadrat milaniste ndoshta në ngritje. Në rast se Juventusi kalon në gjysmëfinale dhe me një vëmendje në Evropë më shumë se në Itali do të mund të afroheshin. Janë të kompletuar, janë në formë.
Në anën tjetër Atalanta po duket se po shfaq të çarat e para. Nuk janë ekip që mund të përballoj Evropën vitin e ardhshëm. Por, le ta provojnë pasi janë raste që u vijnë një herë në dekadë apo më gjatë, sikur Sassuolos vitin e kaluar.
3. Crystal Palace – Leicester City (e shtunë, ora 4)
Dy nga ekipet më në formë në Premier League, të dyja të zhytura në një luftë që nuk i takojnë. Leicesterit nuk i takon as të luftoj për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por nuk janë edhe aq pa shanse ndaj Atleticos së Simeones.
Ndërkohë Sam Allardyce po tregon aftësitë e tij prej një trajneri që siguron mbijetesa në Premier League, por ashiqare ishte përzgjedhje e ngutshme për kombëtaren angleze, dhe si rezultat pasoi ‘puçi’ i orkestruar i FA me Daily Mail! Që nga atëherë problemi i lojtarëve me agjentë privat siç duket është heshtur.
4. Leverkusen – Bayern (e shtunë, ora 6e30)
Me së paku pesë lojtarë në fushë që do të zinin vend në 11shen e çdo ekipe në planetë, Ancelotti vendos Vidalin e pa-tru të gjuaj penalltinë. Ishte një vendim alla-shqiptar, dhe si pasojë tani shkojnë në Bernabeu me dy gola disavantazh. Nuk është rezultat i paarritshëm, jo për Ancelottin.
E sa për Bundesligë, Bayerni nuk do të duhej të merakosej. Deklasuan Dortmundin, do të deklasonin edhe Leverkusenin, por vëmendja është në Madrid. Është luksi që jep Bundesliga e përbërë nga Bayerni dhe 17 ekipe tjera.
5. Manchester Utd – Chelsea (e diel, ora 5)
Një lojë e mërzitshme me dy gola maksimum të shënuar që me gjasë do të duhej të përfundonte baras, pritet të jetë përballja ndërmjet Mourinhos dhe ish-ekipit të tij. Manchester United është më i mirë se për këtë pozitë kur është. Problemi është që Mourinho nuk e ka akoma ekipin që do. Nuk e ka përkrahjen e parezervë në ekip, dhe kjo s’do të ishte arritur duke antagonizuar Rooneyn. Me Rashford e Lingard, ky Manchester do të mbetet në luftë të përhershme me Sunderlandin e Southamptonin; ngjashëm siç bën Liverpooli me talentet si Henderson e Lallana kundër WBA-së.
Të kundërtën ka bërë Conte me Chelsean. Hazard dhe Diego Costa janë ringjallur, dhe përkundër skandalit të këtij të fundit për Kinë, ai vazhdon të shënoj për ‘blutë’. Po, ashiqare Conte më i mençur, por nuk është asnjë çikë më pak egomaniak se sa Jose.
Pranvera vetëm sa ka filluar të nxehet, dhe shumica e ligave kanë shumëçka për të përcaktuar, para verës jo të mërzitshme me Kupën e Konferederatave dhe Kampionatin Evropian të femrave.
Urime pashkët, e paçi një vikend të gjatë me futboll të bukur.