PRIZREN
Ferronikeli kalon lehtë kampionin
16 May, 2015 @16:49
Ferronikeli ka kaluar edhe një ‘finale’ sot. Ekipi nga Drenasi ka mposhtur kampionin aktual të Kosovës, Kosovën e Vushtrrisë me rezultat 3-1.
Përparim Livoreka (volej nga zona) dhe Qemail Elshani (mashtron mbrojtësin me shpinë dhe shuton për 2-0) shënuan nga një gol në pjesë të parë, për pushim të qetë, derisa në fillim të pjesës së dytë, mysafirët ulën epërsinë pas një devijimi nga Lulzim Doshlaku, pas shutit nga Hasani, që çoi topin në rrjetën e Granit Kolshit, për 2-1.
Kosova e Vushtrrisë dukej ‘pa gajle’ sot, derisa e tëra që bënin futbollistët e Bekim Shotanit, ishte të gjenin Milot Rashicën në sulm, i cili tentonte me goditje që të befasonte Kolshin.
Sidoqoftë, zëvendësuesi Egzon Gashi, u përkujdes që me një eurogol të sigurojë fitoren për liderin duke e bërë rezultatin 3-1, që mbeti deri në fund, përkundër mundësive të ekipit të Gani Sejdiut për më shumë.
Ferronikeli me këtë fitore arrin kuotën e 60 pikëve, derisa në katër xhirot e mbetura do të ketë testet më të vështira, ku takohet me Trepçën’89, Hajvalinë, Besën dhe Prishtinën.