LIDERI

Ferronikeli mban kreun me fitore
11 April, 2015 @15:48
Skudra e Ferronikelit ka arritur të shënojë edhe fitoren e pestë të stinorit pranveror, për të përfunduar si lider fazën e dytë të kampionatit.
Golin e vetëm dhe të fitores në këtë ndeshje e ka shënuar përforcimi i drenicakëve, Egzon Gashi, që erdhi nga Besa e Pejës.
Gashi ka shutuar nga 10 metra furrishëm drejt portës së Artan Latifit për të vendosur epilogun e takimit.
Në fakt, portieri i Dritës, Artan Latifi, ka qenë shumë i zënë sot dhe ka mbajtur gjilanasit në lojë, pasi që ka mbrojtur shumë raste të ekipit të Gani Sejdiut.
Qemal Elshani dhe Përparim Livoreka kanë pasur raste të mira në pjesë të parë për Ferronikelin, derisa pas golit të shënuar, Egzon Gashi ka pasur gjithashtu edhe dy mundësi tjera për të shëunar - por pa sukses.
Ferronikeli në fakt shënoi edhe njëherë në portën e Dritës, por ky gol i shënuar më minutën e 83-të u anulua nga referi anësor, me pretekst të pozitës jashtë loje.
Me këtë fitore, Ferronikeli tashmë ka mbledhur 16 pikë nga 6 ndeshje të zhvilluara në pranverë.