LIRIDON FETAHAJ
Fetahaj kërkon falje, Liria do të këndellet
9 May, 2016 @22:19
Pas paraqitjes katastrofale në ndeshjen ndaj Trepçës’89 dje në Mitrovicë, Liria ka kërkuar falje. Në fakt këtë e ka bërë sulmuesi kryesor i ekipit, Liridon Fetahaj.
Fetahaj në një prononcim të tijin për faqen zyrtare të klubit bardhezi nga Prizreni ka thënë se ekipi do të këndellet që në ndeshjen e ardhshme që zhvillohet të mërkurën në Prizren.
“Së pari dëshiroj t’i kërkojë falje publike për atë që ndodhi në Mitrovicë. Këtë ia kërkoj krejt publikut dhe drejtuesve të klubit. Shpresoj të fitojmë të mërkurën ndaj Besës,” ka thënë Fetahaj, shkruan liriafc.com sot.
Liria ka pësuar 6-0 nga Trepça’89 dje ndërsa kjo ka qenë humbja më e thellë e stinorit në Superligë për një ekip.
Trajneri i Lirisë, Erdogan Celina, ka dhënë dorëheqje menjëherë pas kësaj ndeshjeje, ndërsa sot është emëruar në krye të shtabit teknik, Skender Kapra.
Liria të mërkurën në “Përparim Thaqi” pret Besën e Pejës në kuadër të xhiros XXXI të Superligës. Ndeshja fillon në ora 15.