STIPE MESIC NË KOSOVË
FFK priti ish-presidentin kroat
Teksti: Federata e Futbollit e Kosovës
24 February, 2017 @13:32
Kryetari i FFK-së, z. Fadil Vokrri me bashkëpunëtorë, nënkryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, priti në zyrat e FFK-së ish-presidentin e Kroacisë, z.Stipe Mesiç.
Duke e falënderuar për këtë vizitë presidenti Vokrri e njohu z. Mesiç për fillet e pavarësimit të futbollit të Kosovës që nga viti 1991, si dhe rrugëtimin plotë sakrifica deri në pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.
Tutje z. Vokrri foli edhe për ligat e Kosovës, ekipet përfaqësuese si dhe për strukturën organizative të FFK-së.
Gjatë takimit shumë të përzemërt presidenti Vokrri dhe ish-presidenti i Kroacisë z. Mesiç evokuan kujtime nga e kaluara.
Pas takimit, para mediave z. Mesiç u shpreh: “Jam i lumtur që takova sot presidentin e FFK-së, z. Fadil Vokrri, i cili me njohu me të gjitha zhvillimet e futbollit të Kosovës. Ju keni luajtur nëpër fusha të improvizuara por vullneti i juaj ka bërë që ju sot të keni edhe ekipe përfaqësuese dhe të gjitha të tjerat që i kanë edhe shtetet tjera. Me z. Vokrri jemi takuar edhe dikur në Beograd, unë në një funksion tjetër e ai në një funksion tjetër. Por gjithmonë ishte kënaqësi”.
Ndërkaq, kryetari Vokrri tha: “Falënderoj z. Mesiç për këtë vizitë. Federata e Futbollit e Kroacisë na ka ndihmuar shumë në pranimin tonë në institucionet ndërkombëtare. Sikur që edhe shteti i Kroacisë e ka ndihmuar shumë Kosovën. FFK-ja dhe federata kroate e futbollit kanë marrëdhënie të mira dhe këto vazhdojnë të kultivohen dhe të thellohen gjithnjë e më shumë”.