FLET NËNKRYETARI
FIFA tenton që stinorin ta bëj në vit kalendarik
2 May, 2020 @18:22
Zyrtari i lartë i FIFA-së, nënkryetari Victor Montagliani ka thënë se mundësi e mirë për tu diskutuar tash është zhvendosja e stinorëve të futbollit në vite kalendarike, sikurse që bëhet nëpër vende amerikane.
Montagliani në një intervistë dhënë Corriere dello Sport-it ka bërë të ditur se kjo gjë do të ishte e mirë, pasi do të përshtatej edhe me Botërorin e radhës.
“Kemi mundësi për një gjë të tillë. Kjo do të ishte një ide e mirë pasi që do të përshtatej edhe me Botërorin 2022 në Katar, që është paraparë të zhvillohet në nëntor dhe dhjetor të atij viti,” ka thënë Montagliani.
Përndryshe Montagliani është kryetar i CONCACAF-it, kryetari i Federatës së Futbollit të Kanadës. Ai është 54 vjeç dhe më parë ka luajtur për ekipin kanadez Columbus F. C.
“Në çdo vend, duke përfshirë Gjermaninë, Francën por edhe Anglinë, vera është periudha më e mirë e vitit. Ndërsa ne në atë periudhë nuk luajmë”, kishte thënë ai për “France Football” në vitin 2013. “Në dimrin e thellë, kur është ftohtë dhe bie borë, ne luajmë. Kjo nuk është e drejtë për lojtarët dhe tifozët. Nuk është logjike”.