KUPA E KOSOVËS: T89-LLA

Festa e Llapit pas sigurimit të fitores sot/ Foto: KF Llapi
Finalisti eliminoi kampionin
14 February, 2018 @20:17
Përballja më interesante e ditës në Kupën e Kosovës e arsyetoi epitetin e saj.
Trepça’89 kampione e Kosovës priti Llapin, finalist të fundit të Kupës, ndërsa mysafirët ishin ata që me dy gola të shënuara në fund të ndeshjes ‘ngrinë’ mitrovicasit e drejtuar nga trajneri i ri i tyre, Gugash Magani.
Derisa trajneri ka thënë se nuk konkretizuan rastet për të shënuar, klubi i Trepçës’89 më vonë lëshoi komunikatë për media duke akuzuar gjykimin e treshes me në krye Genc Nuzën, si tendencioz.
Në anën tjetër, Nuza është referi i parë nga Superliga e Kosovës që është licencuar nga UEFA e FIFA për të gjykuar ndeshjet ndërkombëtare.
Sidoqoftë, Mirlind Daku nga penalltia në minutën e 86-të të ndeshjes dhe krejt në fund, Ilir Blakçori (89’) realizuan për ekipin e Tahir Batatinës, që u shpreh tejet i kënaqur pas ndeshjes me arritjen e ekipit të tij.
Llapi tash pret ta mësojë kundërshtarin e radhës në çerekfinale të Kupës, të premten, në shortin që nis në ora 14:00 në zyret e FFK-së.