Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA E CHL

Finalja e Ligës së Kampionëve zhvendoset në Wembley?

Manchester City vs Chelsea në gjysmëfinalen e FA Cup të luajtur në Wembley. Foto: Ben Stansall

Finalja e Ligës së Kampionëve zhvendoset në Wembley?


9 May, 2021 @20:30

Finalja e Ligës së Kampionëve, e caktuar të luhet me datën 29 maj në Stamboll, ka mundësi të zhvendoset në Wembley. E gjitha kjo ka nisur pasi që në fund të muajit të kaluar, Turqia u fut në një izolim total, ndërsa zërat filluan të shpeshtoheshin edhe më shumë kur Qeveria e Britanisë e cilësoi Turqinë si një nga vendet në të cilat nuk duhet të udhëtohet përveç se për udhëtime të domosdoshme.

Sipas New York Times, të hënën, UEFA dhe Qeveria e Britanisë do të mbajnë një takim ku do të diskutohet zhvendosja e finales nga Stambolli.

Një nga kërkesat e shumëta të UEFA-së për Qeverinë Britaneze pritet të jetë edhe heqja e karantinës për anëtarët e stafit, transmetuesit ndërkombëtarë, sponzorët dhe zyrtarët e tjerë që planifikojnë ta ndjekin finalen e madhe. UEFA gjithashtu pritet të kërkojë nga Qeveria Britaneze garanci sa i përket pjesëmarrjes së tifozëve. Për momentin në Angli lejohen deri në 10,000 tifozë në ndeshje, që është një numër larg më i vogël se ai që pritej të ishin në finalen e Stambollit, 25,000.

Në rast se ky vendim miratohet, finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvendosej nga Stambolli për të dytin vit me radhë, pasi që edhe në stinorin e kaluar, Liga e Kampionëve rifilloi nga faza çerekfinale ku të gjitha ndeshjet u luajtën në Lisbonë të Portugalisë, me qëllimin që të parandalohej rritja e rasteve me Covid-19.

Kjo nuk do të ishte ndeshja e parë në Wembley për Manchester Cityn dhe Chelsean këtë stinor, pasi që të dyja këto skuadra u ndeshen mes vete në këtë stadium për një vend në finalen e FA Cup.


 
Të gjitha lajmet nga Champions League