PENSIONIMI
Fitim Krusha pensionohet nga futbolli
28 November, 2014 @1:26
Skuadra e Lirisë në pjesën e dytë të këtij stinori nuk do ta ketë ndihmën e kapitenit të saj, Fitim Krushës.
Mesfushori prizrenas ka vendosur t’i jep fund karrierës së tij si futbollist aktiv, për shkak të angazhimeve në punë dhe moshës që e ka.
“Arsyja që kam lënë futbollin ka qenë angazhimet në punë, por edhe mosha pasi që pas një muaji do t’i mbushi 32 vjet. Ky për mua ishte një vendim i rëndë, por sidoqoftë gjithçka e ka fundin e vet,” u shpreh Krusha për Borozani.com.
Ndeshja ndërmjet Lirisë dhe Besës në kuadër të rrethit të parë të Kupës, ka qenë ndeshja e fundit për Fitim Krushën. Në të vërtetë ai e përfundoi këtë ndeshje para kohe pasi që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe më pas me të kuqin për t’u larguar për herë të fundit nga fusha e blertë.
Krusha ka qenë njëri ndër futbollistët më të dalluar të skuadrës së Lirisë në stinorin vjeshtor, e cila përfundoi në pozitën e katërt të radhitjes tabelare të Ligës së Parë.