GRUPI H: KOLUMBIA - JAPONIA
Fitore historike e futbollit aziatik!
19 June, 2018 @15:52
Në takimin e parë të ditës së sotme, Japonia ka shënuar fitore 2-1 ndaj Kolumbisë, për t’u ngjitur në krye të grupit të paktën përkohësisht.
Ndeshja filloi keq për Kolumbinë, me mesfushorin Carlos Sanchez që u shkaktoi penallti dhe u përjashtua nga loja me karton të kuq, ndërsa nga penalltia e fituar Shinji Kagawa shënoi për epërsinë e ‘samurajëve’.
Mirëpo, përkundër inferioritetit numerik në fushë, Kolumbia luajti shumë mirë, duke rrezikuar më shumë se Japonia dhe duke barazuar përmes gjuajtjes së lirë të Juan Quinteros dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 1-1.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Në pjesën e dytë, ishte Japonia ajo që rrezikoi më tepër, ndërsa kjo iu shpërblye në minutën e 73’, kur Yuya Osako shënoi me kokë për 2-1 dhe me këtë gol Japonia arriti ta mbyllë këtë përballje me fitore. Në anën tjetër, Kolumbia përkundër aktivizimit të James Rodriguezit nga banka rezervë, ishin të ndikuar edhe nga kartoni i kuq dhe nuk treguan shumë, për t’u detyruar të pajtohen me humbje.
Përveç 3 pikëve, kjo fitore është historike për Japoninë, pasi që fitorja e arritur sot është e para në histori për një përfaqësuese aziatike ndaj një përfaqësueseje ameriko-latine në një kampionat botëror.
Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Polonia e Senegali takohen sot me fillim nga ora 18:00.