DITARI RUS (5)
Uragani
Shkruan: LUAN MORINA
18 June, 2018 @22:09
Si kaloi dita e pestë e e Botërorit?
ZLATANI
Pa Ibrahimovicin, Suedia arriti të marrë pikët e para, por jo edhe aq bindshëm. Patën shumë disa raste duke çarë mbrojtjen koreane, por thjesht nuk kanë lojtarë për të shënuar. Forsberg provoi nga largësia, dhe vetëm penalltia e rregullt e Granqvist kreu punë. Koreanët nuk ishin të dobët. Provuan me kundërsulme, por në njërën nga ndeshjet më pak interesante të kësaj Kupe nuk ia dolën të marrin pikët e vetme me gjasë.
Me Meksikën e Gjermaninë që të dyja do ta kenë më problem. Shumë më problem!
DRIES
Gjatë dhjetë minutave të parë, ishin nëntë lojtarë me të cilët sulmonte Belgjika. Lukaku si qendërsulmues, Mertens e Hazard në krahë, De Bruyne i tërhequr në krah të Witselit, edhe Carrascon në të majtë me Meunier në të djathtë, bënin një vijë hendbolli për të rrethuar debutuesit në Kupën e Botës. Thuajse kjo nuk mjaftonte, Martinez kishte angazhuar në anën e Boyatas Alderweireldin e Vertonghenin, që të dy me afinitet për të lëvizur para, dhe lëviznin. Një vijë e lartë e mbrojtjes belge, një dominim total, por assesi të gjejnë golin në pjesën e parë. Nuk shfrytëzonin hapësirën për të goditur nga larg, dhe harkimet e ulëta në zonë nuk kryenin punë.
Fati deshi që Mertens të shënoj një gol të bukur qysh në fillim të pjesës së dytë, për të larguar presionin. Pas kësaj, lëvizën më lehtë, me Lukakun i cili gjeti golin shumë të rëndësishëm për të. Qendërsulmuesi i Manchester United kishte nevojë të shënonte në këtë ndeshje, pasi vuan nga seritë e zeza ku nuk shënon deri në pesë ndeshje e më gjatë. Gjithashtu ka seri të golave kur shënon vazhdimisht, dhe një e tillë mund të ketë nisur sot.
Belgët dëshmuan që e kanë marrë seriozisht këtë Kupë Bote.
TUNIZIA
Që nuk e kanë marrë seriozisht, as kësaj here, dëshmuan anglezët. Me krahë sulmi të padisiplinuar, pa mbetur keq as mbrojtja me Kyle Walkerin e konvertuar, anglezët vuajtën shumë me Tunizinë. Ishin ekip me shumë ‘yje’ dhe paaftësia për të sistematizuar krejt këto ‘yje’, dhe krejt faji si gjithnjë do të bije mbi Gareth Southgatein.
Nga të gjithë lojtarët e angazhuar prej ‘gjashtëshes së madhe’ më i angazhuari dhe i disiplinuari doli të jetë i angazhuari vonë, Ruben Loftus Cheek. Kane nuk mori topa nga ‘yjet’, dhe ata dy topa të mirë që i ranë, i dërgoi në portë. Kieran Trippier edhe Harry Maguire ishin dy tjerët të vetmit që treguan disiplinë dhe përkushtim. Një Angli mediokër e cila mezi doli të marrë tri pikë kundër një Tunizie e cila që 40 vite pret fitoren e parë.
E DYTA
Nesër do të mund të shfaqet fytyra e vërtetë e rusëve ndaj Egjiptit. Para se të nis rrethi i dytë në mbrëmje, Polakët duhet të tregojnë pjekuri kundër Senegalit, e Kolumbia të dëshmojë që përsëri dëshirojnë çerekfinalet kundër Japonisë.