AFRIKA JUGORE 2010
Viti i Del Bosques
Shkruan: LUAN MORINA
19 June, 2018 @11:18
Uruguai do të shembte ëndrrat edhe të një vendi tjetër për sukses historik. Sukses historik kontinental për Ganën do të ishte kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Dhe ganezët ishin afër të arrinin këtë në Afrikën Jugore.
Në gjysmëfinale, Gana do të kalonte në epërsi ndaj Uruguait me golin e Sulley Muntarit, për të barazuar Forlan. Në çastet e fundit të vazhdimeve, Luis Suarez do të largonte me duar topin nga vija e golit për t’i mohuar Ganës kualifikimin direkt në gjysmëfinale.
Përjashtimi dhe akordimi i penalltisë ishin rezultat i këtij gjesti. Porse, Asamoah Gyan hodhi lart mbi portë goditjen e tij të fuqishme, për të mbetur penalltitë si përcaktuese të fatit. Aty Gyan me Appiah qëlluan, por Mensah dhe Adiyiah kishin gabuar, duke përfunduar edhe një aventurë afrikane në çerekfinale.
Uruguai do të mposhtej nga Holanda, të cilët do të kalonin në epërsi me një super-gol të Giovanni Van Bronckhorst, për të rikthyer epërsinë në minutën e 70të me futbollistin më të mirë të atij viti në botë, jozyrtarisht, Wesley Sneijder. Në gjysmëfinalen tjetër, një gol i vetëm i Carles Puyol do të avanconte Spanjën në finale.
Më 31 maj të këtij viti, Zinedine Zidane, pesë ditë pasi kishte fituar titullin e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e trajnerit të Realit të Madridit. Për shumëkënd, ky ishte një vendim i çuditshëm, por jo më i çuditshëm se vendimi i datës 23 qershor të vitit 2003. Edhe atëherë, i njëjti njeri merrte vendimin – Florentino Perez.
“Profili i tij ishte tradicional. Ne po kërkojmë dikë me më shumë përqendrim në taktikë, strategji, dhe përgatitje fizike. Besojmë që ekipi që po ndërtojmë ka nevojë për një trajner të fuqishëm, me karakter më ndryshe. Del Bosque po shfaqte shenja lodhjeje, dhe dua të jem i sinqertë – mendoj që ai nuk është trajneri i duhur për të ardhmen,” – do të thoshte Perez, një ditë pasi me Del Bosquen Reali fitonte titullin e dytë të La Liga-s. Sezonin vijues Reali përfundon i katërti, humb kupën dhe bie në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Suksesin e gjysmëfinales së Del Bosques s’do ta përsërisnin deri në vitin 2011. Titulli do të vinte vetëm pas katër viteve.
Shtatë vite pasi kishte shfaqur shenja lodhjeje në moshën 53 vjeçare, Vicente del Bosque do të bëhej kampion bote, që ndodhi më herët se sa titulli i kampionit të Evropës së Realit të Madridit, i cili erdhi 11 vite pas Del Bosques, kur ky i fundit ishte edhe kampion i Evropës tashmë.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Vicente Del Bosque kishte luajtur mbi 400 ndeshje për Realin e Madridit, duke fituar pesë tituj të kampionit e katër Kupa të Mbretit. Si trajner, kishte shtuar dy tituj të Spanjës e dy të Evropës me Realin e Madridit, e Spanjën kishte vazhduar ta ngrite në majën e futbollit botëror, një rrugëtim që kishte nisur Luis Aragones. Si për të, si për Del Bosquen, Turqia ishte një vend i kobshëm.
Turqia s’do të ishte pjesëmarrëse në Kupën e Botës në vitin 2010. Fajtore për këtë ishte Spanja, e cila në grupin e pestë do të shënonte 28 gola karshi pesë golave të pranuar. Bosnja e Hercegovina, Estonia, Belgjika, e Armenia ishin ekipet tjera në grup. Ky efikasitet s’do të përsëritej në Kupën e Botës.
Kampionët evropian do ta nisnin me humbje minimale ndaj Zvicrës Kupën e Botës, për të mposhtur Hondurasin me dy golat e David Villas, i cili do të shënonte edhe në ndeshjen e tretë në grup për të mënjanuar Kilin bashkë me golin e Iniestës. Në pjesën eliminatore, që të katër ndeshjet spanjollët do t’i fitonin me rezultat minimal, 1-0, përfshirë edhe finalen, duke e bërë ndoshta njërën nga aventurat më të kota drejt titullit. Villa kishte shënuar golin e vetëm vendimtar edhe në rrethin e dytë kundër Portugalisë, edhe në çerekfinale ndaj Paraguait.
David Villa atë verë ishte transferuar nga Valencia tek Barcelona. Për ekipin nga Mestalla kishte shënuar 108 gola në 166 ndeshje, derisa për tri vite tek Barcelona do të zhvillonte 77 ndeshje me 33 gola. Si 32 vjeçar do të kalonte për një sezon në Atletico, për të vazhduar karrierën në New York City FC, për të cilët është kthyer në legjendë të klubit. Në Ligën MLS që nga viti 2014, David Villa ka shënuar 71 gola në 104 ndeshje, duke u përzgjedhur tri herë për ndeshjen All-Star, si dhe MVP i ligës MLS në vitin 2016.
E në titullin e parë të një vendi evropian jashtë Evropës që nga Gjermania Perëndimore në vitin 1974, në një ndeshje po aq të kotë, pa shumë raste shënimi dhe me një ‘kamion’ faullash, ishte goli i Andres Iniestas në minutën e 116të që vendosi fatin e ndeshjes. Howard Webb kishte ndarë 14 kartonë të verdhë, që ishte numri më i madh në një finale që nga viti 1986 në përballjen e Argjentinës me Gjermaninë Perëndimore. John Heitinga ishte përjashtuar nga loja pas kartonit të dytë të verdhë, e gjatë tërë ndeshjes, pos golit, ekipet kishin pasur vetëm nga një rast të vetëm për të shënuar.
Holanda para gjysmëfinales, në çerefkinale do të eliminonte brazilianët me dy golat e Wesley Sneijder, i cili do të kontribuonte bashkë me Robbenin në fitoren 2-1 ndaj Sllovakisë, të cilët në grupe kishin mënjanuar italianët. Kampion aktual do të përfundonin të katërtit, pas Paraguait si fitues grupe, dhe Zelandës së Re e cila me tri barazime shkonte në shtëpi e pamposhtur. Në çerekfinalen e katërt, Gjermania do të deklasonte edhe Argjentinën me dy gola të Kloses, dhe nga një të Muller e Friedrich; pasi në çerekfinale me po aq gola kishin mënjanuar Anglinë, në atë ndeshjen e pafat për Frank Lampardin, goli i qartë i të cilit nuk ishte pranuar. Klose, Podolski, dhe Muller kishin shënuar dy herë, duke i lejuar anglezëve një gol të vetëm të Matthew Upson.
Kupa e parë e Botës në Afrikë kishte kaluar nëpër zhurmën e pështirë të vuvuzelave; topin ‘Jabulani’ për të cilin lojtarët ankoheshin se ishte zor të kontrollohej, dhe motin e ftohtë që mbretëronte në dimrin e Afrikës Jugore atë verë përvëluese tek ne në Kosovë. E në Kupën e Botës në vitin 2010, dy lojtarët më të mirë të asaj kohe, Cristiano Ronaldo e Lionel Messi do të shënonin një gol të vetëm së bashku. Edhe ai do të vinte në fitoren 7-0 të Portugalisë kundër Koresë Veriore. Në tri Kupa të Botës, Messi e Ronaldo kanë në total 8 gola, që është më pak se Topa të Artë që kanë së bashku!