POLONIA
Të ‘70tat
19 June, 2018 @12:45
Në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 1986, Shqipëria do nxirrte një barazim 2-2 në udhëtim ndaj Polonisë. Wlodzimierz Smolarek, do të shënonte njërin nga golat e Polonisë në tetor të vitit 1984.
Katër vite më parë, babai i Ebi Smolarekut të cilin mund ta kujtojmë nga dy sezonet në Borussinë e Dortmundit, bashkë me bashkëlojtarët e tij do të ishte njëri nga revolucionarët e kombit polak. Në krizën polake të viteve 1980-81, shumë vende të Bllokut Lindor do të ngriheshin kundër sundimit sovjetik në to. Kjo krizë do të merrte pak nam edhe me incidentin në Aeroportin Okecie, afër Varshavës. Portieri i Polonisë atëbotë, do të zgjohej i dehur, dhe për shkak të mosrespektimit të disiplinës, stafi do të vendoste ta linte mbrapa në hotel duke vazhduar rrugën për në aeroport. Aty, stafi do të haste në rezistencën e lojtarëve si Smolarek, Terlecki, Zmuda, dhe Zbigniew Boniek.
Pas këtij incidenti, Boniek do të merrte kombëtaren mbi supe, duke e udhëhequr deri tek medalja e bronztë në Spanjë.
2x3
Tetë vite më parë, Grzergorz Lato do të shënonte kundër Brazilit, kampion bote në atë Kupë, për të marrë të bronztën për Poloninë në Stadiumin Olimpik të Mynihut. Ishte ky goli i shtatë i Latos, në po aq ndeshje.
Bashkë me Laton, Andrzej Szarmach do të shënonte edhe gjashtë gola, derisa polakët kalonin Argjentinën, Haitin me 7-0, dhe Italinë me 2-1. Në rrethin e dytë të grupeve, Lato do të shënonte edhe në fitoren ndaj Suedisë 1-0, e Jugosllavisë 2-1, para se të humbnin finalen nga goli i Mullerit për Gjermaninë.
Katër vite më vonë, në Argjentinë, Boniek do t’i bashkohej Latos, për të kaluar grupet me Meksikën, Tunizinë, e Gjermaninë Perëndimore, para se të eliminoheshin në fazën e dytë të grupeve nga Brazili, Argjentina, e Peru. Ndaj të fundit do të shënonin fitoren e vetme në këtë fazë, me golin e vetëm të Szarmach.
Medalje tjetër olimpike do të vinte në Spanjë. Pas barazimeve me Italinë e Kamerunin, do të rrihnin Perunë me 5-1, me të dy në listën e shënuesve, edhe Laton edhe Boniekun. Në rrethin e dytë binte Belgjika me Bashkimin Sovjetik me të cilët mbetën vetëm baras pa gola. Por, gjenerata e artë polake do të binte nga dy gola të Paolo Rossit dhe Italisë në gjysmëfinale.
Rrethi i dytë në Meksikë ishte caku i fundit, para se Polonia të pushonte për 16 vite. Në vitin 2002 kthehen në Kupën e Botës, dhe përfundojnë në grupe, ngjashëm si në Gjermani katër vite më pas. Tashti kthehen në Kupën e Botës pas mungesës në Afrikën Jugore, dhe Brazil.
EKIPI
Adam Nawalka preferon 3-4-3, ndonëse përdor 4-2-3-1 kur janë ndeshje jo-miqësore. Kapiteni Lewandowski qëndron në qendër të sulmit, me rezervë sulmuesin e Sampdorisë, Kownackin. Arkadiusz Milik vazhdon të ketë lëndim pas lëndimi, me të fundit të rrezikuar gjatë një shëtitjeje në Rusi!
Kur kthehen në 4-2-3-1, Miliku zakonisht luan pas Lewandowskit për t’u zhvendosur në 4-4-2 me krahë të avancuar në rast nevoje. Veterani Kuba Blaszczykowski pas një sezoni të mbushur me lëndime, vjen për të sulmuar në krahun e djathtë, me Kamil Grosickin në anën tjetër.
Pjesa më e mirë e Polonisë në fushë duhet të jetë mesfusha qëndrore. Krychowiak e Zielinski janë startues, pa mohuar edhe Karol Linettyn e Sampdorisë.
Piszczek e Bereszynski duhet të mbulojnë krahët, me Kamil Glikun në qendër të mbrojtjes. Me të, mund të alternojnë Bednareku i Southamptonit, Pazdani, tani në Legia, dhe qendërmbrojtësi i SPAL, Thiago Cionek.
Në portë, pas Szczesnyt është Fabianski, e Boruc nuk është ftuar pasi ishte rezervë tek Bournemouth sezonin e kaluar.
RUSIA2018
Janë favorit për të kaluar në rrethin e dytën. Me Kolumbinë kanë ndeshjen kryesore, me datë 24 qershor në ora 20, në Kazan Arena. Japonia më pas i pret në Volgograd, më 28 qershor në ora 16, ndërsa e hapin me Senegalin, me atë 19 qershor në ora 17. Edhe nëse kalojnë grupin, në rrethin e dytë duhet të ndeshen ose me Belgjikën ose me Anglinë, që e bën një mision goxha të vështirë çerekfinalen për polakët.