JAPONIA
Kthimi i samurajëve
Shkruan: LUAN MORINA
19 June, 2018 @12:33
Trajneri boshnjak, Vahid Halilhodzic kishte larguar tri yjet kryesore të Japonisë gjatë kohës së tij në krye të Japonisë. Në muajin prill, boshnjaku ishte shkarkuar nga detyra, duke kthyer në pozitën e trajnerit Akira Nishinon. Ai deri në muajin prill kryente detyrën e drejtorit teknik, derisa kishte marrë përsipër Japoninë për tri ndeshje në verën e vitit 1996.
Me të ardhur në krye të Japonisë, Nishino 63 vjeçar kishte provuar të eksperimentonte edhe me formacion, në tentim për të përgatitur japonezët në kohë për Kupën e Botës. E ndër hapat kryesor ishte rikthimi në ekip i Keisuke Honda, Shinji Okazaki, e Shinji Kagawa. Që të tre ishin lënë jashtë nga boshnjaku në miqësoret e nëntorit, i cili mbronte vendimin e tij duke insistuar që dëshiron ekipin më të mirë, duke ftuar vetëm lojtarët që janë në formën e duhur dhe të rregullt në ekipin e tyre.
Si zakonisht, Halilhodzic, u shkarkua pak para fillimit të Kupës së Botës, diçka që kishte ndodhur edhe me Bregun e Fildishtë në vitin 2014. Ai s’do të mbetej i papunë atëbotë, duke marrë Algjerinë të cilën i dërgoi deri në rrethin eliminator në Brazil. Bregu i Fildishtë përfundoi në grupe pas Kolumbisë e Greqisë. Japonia përfundonte në grupe.
HISTORIA
Në Brazil ishte paraqitja e katërt e Japonisë në Kupën e Botës, dhe hera e dytë që përfundonin në grupe. E para kishte ndodhur në debutimin e tyre, në Francë, kur kishin përfunduar pa asnjë pikë dhe me vetëm një gol, pas Argjentinës, Kroacisë, e Xhamajkës, ndaj të cilëve Masashi Nakayama do të shënonte golin e parë japonez në një Kupë Bote.
Si vendas, në vitin 2002 do të shënonin pikët e para në grupin H, duke mposhtur Rusinë e Tunizinë, pas barazimit 2-2 me Belgjikën. Do të binin në rrethin e parë eliminator, nga Turqia, e cila më pas do të mohonte medaljen e bronztë, bashkë-organizatorëve të japonezëve, koreanëve.
Më së afërmi çerekfinales ishin në Afrikën Jugore, ku në penallti eliminoheshin nga Paraguai. Në grupe do të kalonin Danimarkën dhe Kamerunin, derisa pikët e vetme do t’i humbnin kundër Holandës.
EKIPI
Zakonisht luajnë me formacion 4-3-3, por me ardhjen e Nishinos kanë kaluar në 4-2-3-1. Kanë tentuar edhe formacionin 3-4-2-1, të cilin e përdorin shumica e ekipeve japoneze, për t’u përshtatur më shumë lojtarëve vendas nga J-League.
Yuya Osako i Kolnit me Shinji Okazakin e Leicester Cityt zakonisht janë në pozitën e qendërsulmuesit. Edhe Yoshinori Muto i Mainz, shpesh vendoset në këtë pozitë, gjersa krahët e sulmit të cilët më shumë ngarkohen me pozita mesfushorë janë të mbuluar nga Keisuke Honda, tani në Meksikë, me dy anëtarët e rinj të Fortunës së Dusseldorfit, Takashi Usami e Genki Haraguchi. Edhe Takeshi Inui, tani në Betis do të jetë opsion në këtë pjesë të ekipit, me Shinji Kagawan i cili me Hondën më shumë janë të pozicionuar si mesfushorë të avancuar qendror, 10sh klasik.
Makoto Hasebe ka qenë i rregullt në pozitën e qendërmbrojtësit në Frankfurt, por për Japoninë e gjen veten edhe në pozitën që ka luajtur gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, atë të mesfushorit qendror. Me kapitenin, në këtë repart është edhe Geku Shibasaki i Getafes.
Gotoku Sakai i HSV-së, e Hiroi Sakai i Marseille duhet të mbulojnë anën e djathtë, ndonëse ky i fundit ka pasur një lëndim të lehtë së fundmi. Në anën tjetër, i këndellur pas një gjysmë-sezoni në Galatasaray, vjen Yuto Nakatomo. Maya Yoshida i Southamptonit vendose në pozitën e qendërmbrojtësit bashkë me njërin nga qendërmbrojtësit kryesor të Kashima Antlers e Urawa Red Diamonds.
Veterani Eiji Kawashima i Metz duhet të jetë startues, për shkak të përvojës ndërkombëtare karshi Higashiguchit e Nakamuras.
RUSIA2018
Nuk do ta kenë të lehtë në një grup me Kolumbinë që vjen me përvojën e para katër viteve, Poloninë si ndër më të suksesshmet në kualifikimet e UEFA-s, dhe me Senegalin që pret të befasojë. Me Kolumbinë hapin garat të martën në ora 14, para se të luajnë me Poloninë me datë 24 qershor në mbrëmje. Ndeshja e fundit në fazën e grupeve është kundër Polonisë, pasditen e 28 qershorit.