KUPA E KOSOVËS
Fitore jashtë shtëpisë, lideri afër finales
17 April, 2019 @16:57
Në ndeshjen e parë si kryetrajner i Ballkanit, Gani Sejdiu u mposht me rezultat 1-2 nga ish-skuadra e tij, Feronikeli, skuadër kjo që me këtë fitore i afrohet finales së Kupës së Kosovës.
Një gol i Mendurim Hotit me kokë pas krosimit të Mevlan Zekës në minutën e 30’ të takimit ia dha epërsinë fillestare skuadrës nga Drenasi, derisa ishte asistuesi i golit të parë, Mevlan Zeka, ai që ia dha golin e sigurisë skuadrës së tij, duke shënuar për 0-2 katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë.
Pak para përfundimit të ndeshjes, Visar Berisha i vendasve shënoi me kokë për 1-2, gol ky që i jep pak shpresë Ballkanit për ndeshjen kthyese në Drenas, ndeshje e cila padyshim që do të jetë e vështirë për ta.
Ndeshja e kthimit mes skuadrave në fjalë luhet më 1 maj, pra pas 2 javëve, takim në të cilin Ballkanit i duhet një fitore me dy gola epërsi për ta arritur finalen, apo edhe fitore me një gol epërsi nëse arrijnë të shënojnë 3 herë apo më tepër.
FORMACIONET STARTUESE
Ballkani: Hajdini, Shala, Potoku, Berisha, Jashari, Muçaj, Ajzeraj, Kuçi, Çmaçjanin, Nebija, Topalli. Feronikeli: Troshupa, Islami, Lladrovci, Prekazi, Thaqi, Hoti, Dabiqaj, Millaku, Kone, Zeka, Fazliu. |