KUPA E KOSOVËS
Mesjava me gjysmëfinalet e Kupës
17 April, 2019 @10:39
Me fillim nga ora 15:00, sot zhvillohen dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit luan ndaj Trepçës ‘89, derisa në Suharekë Ballkani e pret skuadrën e Feronikelit, skuadër kjo që llogaritet favorite për ta fituar trofeun e Kupës këtë sezon.
Sa i përket ndeshjes në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit kërkon ta vazhdojë formën e saj të mirë në ndeshjet e Kupës. Siç dihet, gjakovarët vitin e kaluar shkuan deri në finale të Kupës, ku u mposhtën nga Prishtina, derisa mitrovicasit në anën tjetër e shohin fitimin e Kupës si mundësinë e vetme për të dalë në garat evropiane sezonin e ardhshëm, gjithmonë nëse arrijnë t’i plotësojnë të gjitha kushtet për licencim.
Në ndeshjen tjetër të ditës, te Ballkani për herë të parë në krye të skuadrës do të jetë Gani Sejdiu, i cili e mori drejtimin e skuadrës therandase pak ditë më parë. Sejdiu, që ka arritur të shpallet kampion pikërisht me Feronikelin, sot do të tentojë ta mposhtë ish-skuadrën e tij dhe njëkohësisht liderin aktual të Superligës.
Siç dihet, faza gjysmëfinale e Kupës së Kosovës luhet me ndeshje kthyese.
Ndeshjet kthyese mes skuadrave në fjalë do të luhen më 1 maj, pra pas 2 javëve.