GANI SEJDIU
Trajneri kampion merr drejtimin e Ballkanit zyrtarisht
16 April, 2019 @14:49
Trajneri që ka dy tituj të kampionit të fituar në Superligë të Kosovës [me Trepçën dhe Feronikelin], mitrovicasi Gani Sejdiu është trajner i ri i Ballkanit të Suharekës.
Sejdiu, që së fundi ka drejtuar Vëllaznimin e Gjakovës, në kohët e fundit nuk ka qenë i angazhuar në ndonjë skuadër dhe ashtu siç u përfol pas largimit të Sami Sermaxhajt nga ekipi suharekas, ai mori këtë detyrë.
Shiko: TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS
Trajneri Sejdiu sot është zyrtarizuar në zyret e klubit si trajner i ri i skuadrës, derisa Ballkani ka bërë të ditur pas diskutimit të Bordit ka vendosur për mitrovicasin, të cilit i kanë uruar sukses në sfidat e fundit të sezonit me ekipin.
Ballkani në njërën anë është duke luftuar për mbijetesë direkte në Superligë, duke tentuar t’i ikë barazhit.
Shiko: SKEMA e KUPËS SË KOSOVËS
Ndërsa në anën tjetër, që nesër do të luajë përballjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës ndaj ish ekipit të Sejdiut, Feronikelit.
Fitorja eventuale e Kupës, ekipin suharekas mund ta dërgojë në gara evropiane, pasi që skuadrat që fitojnë Kupën kanë biletën e sigurt drejt kualifikimeve në Europa League.