FENERBAHÇE - GALATASARAY
Feneri ndal Galatën në rrugë për titull
14 April, 2019 @20:09
Nëntë kartona të verdhë dhe një karton i kuq janë shpërndarë nga referi i ndeshjes në derbin e zjarrtë turk mes Fenerbahçes dhe Galatasarayit që përfundoi para pak çastesh në Stamboll.
Fenerbahçe ka arritur të dalë e pamposhtur përsëri në stadium të saj nga Galatasarayi, që kishte marrë epërsinë përmes nigerianit Henri Onyekuru në minutën e 66 të ndeshjes.
Galatasaray tashmë dy dekada nuk fiton në stadium të Fenerbahçes, ndërsa barazimi erdhi shpejt pas golit të pranuar për Fenerin, kur maqedonasi Elif Elmas shënoi në minutën e 71 për 1-1.
Deri në fund të ndeshjes Galatasaray pati edhe disa raste, por jo konkrete, njëjtë sikurse Fenerbahçe që tentoi me kundërsulme në 10 minutëshin e fundit.
Ndërprerjet e shumta bën që referi Ali Palabiyik të jep në pjesë të parë 8 minuta shtese, ndërsa në të dytën 7 të tjera. E Fenerbahçe tërë pjesën e dytë e luajti me 10 lojtarë në fushë, pasi që Hasanali Kaldirim kishte marrë karton të kuq në minutën e 45 të ndeshjes.
Pas kësaj ndeshjeje në luftë për titull këto janë pikët: 1. Istanbul Basaksehir 61 pikë, 2. Galatasaray 56 pikë dhe 3. Besiktas 53 pikë. Fenerbahçe në anën tjetër është duke luftuar për mbijetesë, duke qenë në pozitën e 14 me 33 pikë, 6 më shumë se vendi i 16 që i rrëzon skuadrat nga elita.