LIRIA NË STATISTIKA
0-14 në pesë xhirot e fundit
14 April, 2019 @21:22
Kriza e Lirisë po vazhdon në Superligë dhe një statistikë e thjeshtë e ndeshjeve të fundit tregon mjaft për gjendjen e skuadrës prizrenase që duket se nuk do të shpëtojë stinorin në elitë.
Liria që prej 10 marsit kur i pat shënuar Drenicës gol në Përparim Thaqi, nuk ka gjetur më gëzimin e golit.
Në pesë javët në vijim, deri sot, bardhezinjtë nga qyteti i vjetër nuk kanë shënuar gol në portat e kundërshtarëve, ndërsa kanë pranuar 14 gola në portë (Nga 4 prej Llapit e Feronikelit, 3 nga Prishtina, 2 nga Drita dhe sot 1 nga Flamurtari).
Në xhiron e radhës Liria pret Ballkanin në Përparim Thaqi, pastaj i shkon Trepçës’89 (ekip i vetëm që Liria e ka mposhtur në pranverë), pas kësaj udhëton në Ferizaj, pret KEK-un e rënë nga liga dhe në xhiron e fundit i shkon Gjilanit.
Gjendja në tabelë nuk është aspak lakmuese për ekipin e Lirisë, ndërsa ka 4 pikë më pak se Ferizaji që është në zonën e barazhit. Edhe pse teorikisht ekzistojnë gjasa për shpëtim, statistikat nuk thonë kështu.
Në fund, mbetet të shihet se si do të përfundojnë stinorin në Superligë.