KOSOVA SHKËLQEN NË MIQËSORE
Fitore në paraqitje, barazim në rezultat
21 March, 2019 @20:48
Super paraqitja e Kosovës, për pak sa nuk i shkaktoi humbje sonte përfaqësueses së Danimarkës, e cila është e renditur e dhjeta në renditjen e FIFA-s.
Të përzgjedhurit e Bernard Challandes shkëlqyen ndaj rivalit të favorizuar, por që fitorja i iku nga duart në minutat e fundit.
Goli i Pierre-Emile Hojbjerg në minutën e parë të lojës shtesë, i dha frymë danezëve, të cilët deri në ato momente gati sa ishin pajtuar me humbjen.
Për Kosovën golat u shënuan nga Amir Rrahmani dhe Bersant Celina, derisa Danimarka përveç me golin e Hojbjergut, u kundërpërgjigj edhe me yllin e saj, Christian Eriksen, i cili shënoi nga penalltia.
Danimarka ndeshjen e kishte filluar me disa lojtar kyç në bankën rezerë, duke i kursyer lojtarët për ndeshjen kualifikuese. Por, loja e mirë e Kosovës, e detyroi përzgjedhësin danez, Age Hareide, që t’i inkuadrojë në ndërkohë yjet si Christian Eriksen e Simon Kjaer, për ta përmbysur disavantazhin.
Rasti i parë i mirë në ndeshje ishte ai i Vedat Muriqit, i cili në minutën 28’ gjuajti fuqishëm drejt portës së Kasper Schmeichel, por goditja e tij përfundoi pranë shtylle.
Danimarka iu afrua golit në minutën 40’ kur sulmuesi Nicolai Jorgensen u gjend ballëpërballë me portierin Muriçi, por fatmirësisht në momentet e fundit sulmuesi danez e humbi ekuilibrin dhe gjuajti plogësht drejt duarve të Muriçit.
Në minutën 42’ ishte momenti kur të gjithë të pranishmit në stadium u ngritën në këmbë, pasi Amir Rrahmani shënoi me kokë, pas krosimit të bukur nga goditja e lirë e Besar Halimit.
Ky ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë Kosova vazhdoi dominimin derisa danezët i realizuan zëvendësimet e tyre.
Në minutën 63’, Herolind Shala bëri një ndërhyrje të panevojshme në zonën e reptësisë, ndërsa gjyqtari akordoi për penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm u tregua Christian Eriksen, i cili e mposhti Samir Ujkanin që ishte inkuadruar po ashtu në pjesën e dytë.
Vetëm tre minuta më vonë, Bersant Celina me një gjakftohtësi të madhe e pranoi topin brenda zonës së reptësisë nga Arbër Zeneli dhe e dërgoi atë në portën e Schmeichel për ta rikthyer epërsinë e kosovarëve.
Në vazhdim danezët patën edhe një rast të mirë në minutën 80’ kur Dolberg goditi me kokë, por tentimi i tij përfundoi jashtë porte. Krejt në fund goli i barazimit erdhi nga Hojbjerg dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
Ky rezultat vlerësohet të jetë i kënaqshëm për Kosovën, duke pasur parasysh cilësinë e kundërshtarit.
Kosova me këtë rast e ka rritur në 11 numrin e serisë së ndeshjeve pa pësuar humbje.