KAMPIONI VAZHDON ME FITORE
Fitorja e katërt në 5 ndeshjet e fundit, kampioni mban kreun
5 May, 2024 @17:38
Pa shumë telashe dhe shpejt, Ballkani ka shënuar dy gola sot në portën e Dukagjinit, për të shkuar rehat në fitore komode me tre gola dallim më pas dhe për të ruajtur kreun e renditjes tabelare kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të stinorit.
Ballkani mposhti Dukagjinin 3-0 [Lindon Emërllahu 7’, Edvin Kuç 24’, Nazmi Gripshi 90’+6pen.] për të siguruar fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit dhe tashmë ekipi i Ilir Dajës vazhdon të ruajë dallimin dypikësh ndaj ndjekësit të parë, Llapit dhe katër pikësh ndaj ndjekësit tjetër, Dritës.
Shpresa e Ballkanit, Emërllahu i dha epërsinë ekipit ndërsa kapiteni Kuç rehatoi krejtësisht ekipin dhe në minutat në vazhdim kampioni në fuqi i Kosovës menaxhoi mirë lojën për të shkuar te fitorja, ndërsa epilogun e vendosi “truri” Gripshi, që konvertoi penalltinë e fituar fare në fund të ndeshjes.
Ballkani ka edhe katër finale në katër xhirot e fundit të stinorit, ndërsa aktualisht me 66 pikë është në krye, i ndjekur nga Llapi që ka dy më pak, me të cilët do të takohet në xhiron e parafundit në “Zahir Pajaziti”!