E DYTA ME RADHË SI MYSAFIR!
Zëvendësuesi Krasniqi sjell fitoren e Prishtinës në Prizren
5 May, 2024 @18:40
Fitore aspak e lehtë e Prishtinës në Prizren sot ndaj Lirisë së rënë nga elita. Bardhekaltërit mysafirë kanë zgjidhur nyjen e ndeshjes gati në fund të takimit kur pas një topi të humbur të vendasve duke dalë nga mbrojtja.
Ka qenë zëvendësuesi Albin Krasniqi që me goditje precize ka tundur rrjetën e Shalës në portë të Lirisë, për t’i sjellë fitoren e dhjetë kampionale Prishtinës, Liria - Prishtina 0-1 [Albin Krasniqi 88’]. Liria pak minuta më parë (86’) kishte një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje.
Në fund, Prishtina e Emmanuel Egbosë e koncentruar në finale të Kupës së Kosovës për të siguruar garat evropiane, ka regjistruar fitore për motiv, pasi që në renditjen tabelare duket të mos ketë shumë mundësi tjera pos përfundimit të saj në pozitë të pestë të renditjes.
Liria në anën tjetër regjistroi humbjen e 22-të sezonale dhe ka goldallim (-40)! Prizrenasit e rënë nga Superliga pas 32 xhirosh kanë 14 pikë, ndërsa Prishtina e pesta ka 46 pikë nga po aq ndeshje.