BAFTIU RIKTHEN DRITËN TE FITORJA
Pas dy barazimeve, Drita i kthehet fitores
5 May, 2024 @17:59
Ka harruar Drita telashet e dy javëve të fundit në Superligë kur barazonte! Me një fitore komode ndaj Fushë Kosovës sot, pos që mbajti hapin dhe shpresën në luftë për titull kampioni, ekipi i Zekirija Ramadanit ka vulosur rënien e Fushë Kosovës nga elita e futbollit, pasi që tashmë “pampurët” i la pa gjasa teorike për mbijetesë.
Drita tejkaloi sot Fushë Kosovën me rezultat 3-1 [Blend Baftiu 6’, 53’, Besnik Krasniqi 77’ - Dorent Hajdari 74’] ndërsa mesfushori Blend Baftiu ka bërë dallimin në ndeshje për ekipin gjilanas, që të vazhdojë të shpresojë në titull kampioni kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të stinorit.
Pas golave të Baftiut, Besnik Krasniqi (77’) mbylli dilemat e fituesit 3-1, pasi që mysafirët kishin arritur të shënonin me Dorent Hajdarin (74’) që ishte asistuar nga Lirigzon Maloku për 2-1. Deri në fund të ndeshjes, rezultati nuk ndërroi ndërsa Drita festoi fitoren e ardhur pas dy barazimeve kurse Fushë Kosova nuk arriti të ndalte gjasat teorike për mbijetesë. Tashmë Fushë Kosova edhe matematikisht është pjesë e Ligës së Parë të Kosovës!