MUHAMET HYSENI VENDIMTAR!
Hyseni me 2 gola e 1 asistim, siguron fitoren e tretë me radhë të Llapit
5 May, 2024 @17:54
Muhamet Hyseni ka vazhduar me gola, ndërsa Llapi me fitore. Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ka shënuar fitoren e tretë me radhë dhe ka vazhduar ndjekjen e kreut duke kërkuar titullin e parë të kampionit të Kosovës. Sulmuesi i tyre më i mirë, por edhe golashënuesi më i mirë i Superligës momentalisht, Hyseni pos dy golave, ka dhënë edhe asistim në golin tjetër të skuadrës, që erdhi në një fitore aspak të lehtë ndaj Feronikelit’74 që po lufton për t’i ikur pozitës së barazhit/playoutit.
Llapi mposhti Feronikelin’74 me rezultat 3-2 [Muhamet Hyseni 22’, 50’ Ahmed Januzi 32’ - Ruben Tarasco 14’, Jakup Berisha 44’] në një përballje ku në fund vendosi përgatitja fizike e lojtarëve, derisa Llapi kishte energji më të madhe në pjesë të dytë për të bërë dallimin me Hysenin, ndërsa lufta e pakompromis e “niklit” të Shefki Kuqit pak u zbeh në 45-minutëshin e dytë, derisa në të parën Tarasco e Berisha shënuan për të mos lënë fare rehat vendasit.
Hyseni shënoi gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë (22’) kur goditi fortë e topi si torpedo gjeti portën për epërsi. Jakup Berisha kishte asistuar për Tarascon, derisa Feronikeli’74 kishte marrë fillimisht epërsinë befasuese. E kur Llapi përmbysi 2-1 me Ahmed Januzin (32’) Berisha shënoi nga gjuajtja e lirë për 2-2 (44’) të pjesës së parë!
Benjamin Emini pasoi te Hyseni në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Llapi aty siguroi fitoren për të marrë tre pikët e reja në kampionat. “Të kaltërit” e Podujevës tash kanë 64 pikë pas 32 ndeshjesh, ndërsa janë me dy pikë më pak sesa lideri Ballkani, të cilët i presin në xhiron e parafundit në “Zahir Pajaziti” - ku edhe mund të bëhet dallimi se cila skuadër do t’i afrohet krejtësisht titullit kampion.