NË DRENAS
Fitorja e parë e kampionit, humbja e parë e ‘89shit
8 September, 2016 @16:48
Në ndeshjen e fundit të javës së tretë në Superligë, kampioni në fuqi, Feronikeli, e ka mposhtur skuadrën e Trepçës ‘89 me rezultat 4-1, në një takim të dominuar totalisht nga vendasit.
Fitorja e skuadrës nga Drenasi pothuajse u sigurua në 30 minutat e para, me lojtarët e drejtuar nga Afrim Tovërlani që shënuan plot 3 herë në këtë periodë. Fillimisht epërsia u krijua me golin e Mentor Zhdrellës pas goditjes brenda zonës me të djathtën. Epërsia u dyfishua nga Blerand Kurtishaj, i cili u tregua i qetë para portës, ndërsa golin e tretë e shënoi Mendurim Hoti pas një akcioni të rrjedhshëm të vendasve.
TABELA AKTUALE SUPERLIGA
Me të filluar pjesa e dytë, mitrovicasit e ngushtuan rezultatin me supergolin e Otto Johnit nga distanca, për të cilin ky ishte goli i dytë sezonal. ‘Nikli’ reagoi shpejt me golin e Behar Maliqit me kokë në minutën e 56’ dhe ndeshja u mbyll shifrat 4-1. Vlen të përmendet që paraqitje shumë të mirë për vendasit zhvilloi edhe Mark Milicaj me dy asistime.
Kjo ishte fitorja e parë e Feronikelit për këtë sezon, ndërsa njëkohësisht ishte humbja e parë e Trepçës ‘89, e cila nga dy xhirot e para ka 2 fitore.