PARA NDESHJES ME HUNGARINË
Foda me taktikë të veçantë ndaj Hungarisë
24 March, 2024 @22:32
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar punën me fokus te miqësorja e radhës kundër Hungarisë, që zhvillohet të martën, në orën 19:00, në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest. Stërvitja e parë në kryeqytetin hungarez ka qenë një mundësi e mirë për ekipin për të hartuar strategjitë dhe taktikat e lojës për të përballuar me sukses sfidën ndaj një kundërshtari të fortë.
Ndeshja me Hungarinë pa dyshim do të jetë një test i vështirë për Dardanët, por ata janë të vendosur që në stadiumin e stërmbushur me tifozë të japin më të mirën e tyre.
Në njoftimin e dhënë nga FFK-ja është bërë e ditur se selektori Foda ka përgatitur taktikë të veçantë ndaj hungarezëve.
“Krahas ngrohjeve të zakonshme dhe lojës me top në hapësira të ngushta, futbollistët kanë punuar në taktikën që përzgjedhësi Foda ka përgatitur për duelin me hungarezët.”
Pas stërvitjes futbollistët Lindon Emërllahu dhe Blendi Idrizi kanë shprehur besimin e tyre në ekip dhe në aftësitë e tyre për të luajtur një ndeshje të mirë. Ata besojnë se me përgatitjen e mirë nga stafi teknik, do të arrijnë në rezultat të favorshëm.
Dardanët nesër në orën 17:00 do ta zhvillojnë stërvitjen e radhës dhe të fundit për këtë grumbullim në stadiumin “Puskas Arena”.
Për këtë muaj Kosova aranzhoi dy miqësore. Të parën e fitoi ndaj Armenisë si mysafir me rezultat minimal, me golin e shënuar nga Milot Rashica 0-1. Të martën mbrëma, janë mysafir të Hungarisë, që është pjesëmarrëse e EUROs. Ndeshja do të luhet prej orës 19:00. Hungaria ndërkaq, fitoi gjithashtu miqësoren e parë të marsit, ku mposhti Turqinë 1-0 me golin e mesfushorit të Liverpoolit, Dominic Szaboszlai.